Shpërndaje në: Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ia ka theksuar ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriqin, rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve, përfshirë atë të Ohrit të vitit 2023. Në një njoftim në X, Sorensen ka thënë se me Gjuriqin ka diskutuar për rëndësinë e angazhimit në dialog dhe për të çuar përpara normalizimin ekonomik.
“U takova me Marko Gjuriqin. Diskutuam për rëndësinë e angazhimit të vazhdueshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, dhe për të çuar përpara normalizimin ekonomik që përmirëson jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar Sorensen.
Marrëveshja e Ohrit njihet edhe si Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit. Edhe pse ajo nuk u nënshkrua, sipas BE-së, është e detyrueshme për të dyja palët.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar në raste se zbatimi i marrëveshjeve mbetet i bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga ana e Serbisë dhe e letrës së Ana Bërnabiqit drejtuar vendeve anëtare të BE-së kur pati shprehur rezerva për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të dakorduar në Ohër.
Kjo marrëveshje parashihte zbatimin e të gjitha detyrimeve që dilnin nga Marrëveshja Bazë e Brukselit. Kurti fillimisht e pati vlerësuar aneksin si njohje de facto nga Serbia. E ndër pikat ishin edhe ato për personat e zhdukur gjatë luftës e ajo për vetëmenaxhimin për komunitetin serb në Kosovë. Në dialogun me Serbinë, nuk ka pasur takim të nivelit të lartë prej 2023-s.
Ndër kushtet që Kurti ka përmendur për kthim në tavolinën e dialogut ka qenë edhe dorëzimi i kryeterroristit të Banjskës, Milan Radoiçiq.
