Përzgjedhësi i kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka reaguar ashpër ndaj kritikave për stilin e lojës së Brazilit në Kupën e Botës, duke mbrojtur me vendosmëri aftësitë e tij si trajner.
Tekniku italian theksoi se përvoja e tij e gjatë në futboll flet më shumë se çdo koment i jashtëm, ndërsa shtoi se vetëm një person në botën e futbollit ka autoritetin për t’i dhënë këshilla, legjenda e Manchester United, Alex Ferguson. “Në Itali thonë se të gjithë burrat duan të bëhen trajnerë dhe të gjitha gratë arkitekte.
Nuk e di nëse e kuptoj futbollin apo jo, por askush nuk mund të më gjykojë për këtë”. “E vetmja gjë që është e sigurt është se jam përgatitur për më shumë se 1.400 ndeshje. Ndoshta kjo nuk mjafton për ta kuptuar futbollin, por sigurisht që është një përvojë e madhe”. “Vetëm një person është përgatitur për më shumë ndeshje se unë: Alex Ferguson, i cili ka drejtuar mbi 2.000 ndeshje”.
“Unë pranoj këshilla nga të gjithë, por i vetmi që mund të jetë personi i duhur për të më dhënë këshilla është Alex Ferguson”. “Jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam gjeni, por në të njëjtën kohë jam njëqind për qind i sigurt se nuk jam budalla”, ka deklaruar Ancelotti.
Pavarësisht kritikave të tifozëve për mungesën e një loje më sulmuese dhe më spektakolare të Brazilit në këtë Kupë Bote, raportet bëjnë të ditur se Ancelotti vazhdon të gëzojë mbështetjen e plotë të futbollistëve në dhomat e zhveshjes./ Telegrafi
