Ish-mbrojtësi i Liverpoolit dhe analisti i njohur, Jamie Carragher, ka kritikuar ashpër trajnerin e Anglisë, Thomas Tuchel, duke e bërë atë përgjegjës për problemet e vazhdueshme në repartin defensiv gjatë Kupës së Botës 2026. Anglia është përballur me mungesa të shumta në mbrojtje për shkak të lëndimeve, duke mbetur e ekspozuar në ndeshjet e para të turneut.
Kjo situatë ka sjellë edhe eksperimente të detyruara në formacion. Një moment viral nga grupet e turneut tregoi Tuchel duke reaguar ashpër ndaj Djed Spence gjatë barazimit pa gola ndaj Ganës, ndeshje në të cilën ai u aktivizua si zëvendësim për shkak të mungesave në krahun e djathtë.
Carragher ka vënë në pikëpyetje vendimet e trajnerit gjerman, veçanërisht lidhur me përzgjedhjen e lojtarëve në krahun e djathtë të mbrojtjes. “Gjithçka kthehet te vendimet e Thomas Tuchel në repartin e mbrojtjes. Nuk ka funksionuar që nga fillimi me përzgjedhjen e skuadrës. Ka pasur shumë gabime,” u shpreh Carragher.
Ai kritikoi gjithashtu faktin se Tuchel ka përfshirë lojtarë të prirur ndaj lëndimeve dhe ka bërë zgjedhje të diskutueshme në listën e mbrojtësve. “Nuk ka qenë e mençur mënyra si u ndërtua skuadra. Ai zgjodhi dy lojtarë shumë të prirur ndaj lëndimeve në krahun e djathtë dhe më pas solli alternativa që nuk janë natyrale për atë pozicion.
Të sjellësh Chalobah në atë rol ka qenë vendim i çuditshëm,” t ha ai. Sipas Carragher, Anglia nuk ka shumë opsione elitare në mbrojtje, por problemet aktuale lidhen edhe me vendimet taktike dhe përzgjedhjen e lojtarëve. “E dimë që nuk kemi shumë lojtarë të nivelit botëror në mbrojtje, por mënyra si u ekspozuam në minutat e para ishte shqetësuese,” shtoi ai.
Anglia pritet të përballet me Meksikën në ndeshjen e radhës, ku Djed Spence mund të startojë sërish nëse Reece James nuk rikuperohet në kohë nga dëmtimi.
