Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë, duke shprehur mirënjohjen e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme amerikane.
Në një postim në Facebook, Konjufca ka thënë se 4 Korriku i vitit 1776 shënon jo vetëm shpalljen e pavarësisë së SHBA-së, por edhe lindjen e një ideje që, sipas tij, ndryshoi historinë moderne, duke e vendosur lirinë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi qeverisjen në themel të shtetit demokratik.
Ai ka theksuar se parimet e Deklaratës së Pavarësisë u bënë frymëzim për popujt që luftojnë për liri, vetëvendosje dhe barazi, duke shtuar se edhe historia e popullit të Kosovës është e lidhur me këto ideale.
Konjufca ka vlerësuar gjithashtu rolin historik të presidentit amerikan Woodrow Wilson, duke theksuar se qëndrimi i tij në Konferencën e Paqes në Paris i dha peshë të drejtës së popujve për të vendosur për të ardhmen e tyre.
Sipas tij, në momentet më të vështira të historisë së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndruan përkrah popullit të Kosovës, duke mbështetur të drejtën e tij për liri dhe shtet.
“Duke shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së saj, populli ynë nderon jo vetëm trashëgiminë e një shteti mik, por edhe madhështinë e një ideje që ka frymëzuar breza: se historia përparon kur popujt guxojnë ta lidhin fatin e tyre me lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin njerëzor”, ka shkruar Konjufca.
Në fund të mesazhit, ai ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin amerikan me rastin e Ditës së Pavarësisë.
