Shpërndaje në: Koordinatori kombëtar për Instrumentin për Reforma dhe Rritje Ekonomike (IRRrE), Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se funksionalizimi i institucioneve është vendimtar për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian duke theksuar se vendi tashmë ka humbur mbi 40 milionë euro për shkak të vonesave në zbatimin e reformave dhe rrezikon të humbë edhe 100 milionë të tjera deri në fund të vitit.
Ai bëri të ditur se më 15 korrik Kosova do ta dorëzojë raportin e parë për zbatimin e Agjendës së Reformave, në bazë të të cilit do të kërkojë lirimin e më shumë se 100 milionë eurove nga Plani i Rritjes. Sipas Zulfajt, deri më 30 qershor janë përmbushur 18 nga 111 hapat e paraparë në agjendë.
Pas dorëzimit të raportit, Komisioni Evropian do të ketë tre muaj kohë për të verifikuar zbatimin e reformave dhe më pas do të vendosë për disbursimin e fondeve. “Ne, me Planin e Rritjes do të duhej që çdo gjashtë muaj, të dërgojmë një raport tek Bashkimi Evropian, për progresin në agjendën e reformave.
Agjenda e reformave i ka 111 hapa, të cilat janë vendosur nga institucionet tona si reforma…Ne deri më 30 qershor, rezulton që i kemi përmbushur 18 hapa. Nga këto 18 hapa do të shohim se cili do të jetë vlerësimi i Komisionit. Më 15 korrik ne do ta dërgojmë raportin bashkë me evidencën e përfundimit të hapave.
Bashkimi Evropian ka tre muaj në dispozicion për të bërë vlerësimin e raportit tonë, bashkë me evidencën që e bashkëngjitim, për të vlerësuar nëse kështu qëndron siç kemi raportuar ne, dhe në momentin që konstatohet pozitivisht secili hap që është arritur, atëherë secili hap e ka një shumë të fondeve që duhet të jetë mbi 100 milionë euro fatura, le të themi, për lirimin e fondeve që ne do ta kërkojmë në këtë fazë.
Sigurisht që do të ishte shumë më shumë sikur të hynte në fuqi marrëveshja më herët, edhe sikur të kishim një Kuvend i cili funksionon”, deklaroi ai për “KosovaPress”. Ai ka thënë se nga 13 hapat që duhej të përfundonin deri më 30 qershor, shtatë janë realizuar, ndërsa gjashtë kanë mbetur pezull, kryesisht për shkak se kërkojnë miratim në Kuvend.
Sipas tij, këto vonesa i kanë kushtuar Kosovës rreth 40 milionë euro, ndërsa paralajmëroi se, nëse deri në fund të vitit nuk funksionalizohet Kuvendi dhe nuk miratohen reformat e nevojshme, vendi rrezikon të humbë edhe mbi 100 milionë euro të tjera. “Me këto 18 hapa të cilat i kemi zbatuar, kanë qenë gjithsej 79 hapa deri në dhjetor.
Por kur i heqim këta 18 hapa, rezulton që në dhjetor pastaj mbesin edhe 61 hapa të tjerë, të cilët duhet të zbatohen deri me 31 dhjetor, por në këtë pjesë, vetëm 22 nëse nuk gabohem, ose mbase 27 hapa, janë që e kanë afatin shtesë, periudhën grace që quhet, deri me 31 dhjetor.
Dhe shuma që përllogaritet që mund të humbet në fund të dhjetorit, nëse nuk zbatohen hapat të cilat afatin e fundit e kanë 31 dhjetor, mund të jetë mbi 100 milionë euro. Pra çka duhet të bëjmë, si shtet edhe si shoqëri, duhet ta kemi parasysh që këto fonde, janë për projekte infrastrukturore në Republikën e Kosovës.
Për rrugë, për çerdhe, për gjykatat, për prokurorinë, për demokracinë, për shkollat, për digjitalizimin. Pra janë projekte të cilat na ndihmojnë neve që të bëjmë reformat shumë më shpejt. Dhe mungesa e Kuvendit, e shkakton, e bën të pamundur funksionimi të Kuvendit, bën të pamundur që ne t’i miratojmë ligjet”, vijoi ai.
Zulfaj theksoi se fondet e Planit të Rritjes janë të destinuara për investime në infrastrukturë, arsim, drejtësi, digjitalizim dhe fusha të tjera zhvillimore, ndaj u bëri thirrje të gjitha partive politike që të mos lejojnë bllokimin e reformave. Lidhur me fondet që nuk arrijnë të tërhiqen brenda afateve, Zulfaj sqaroi se vendimi për fatin e tyre i takon Bashkimit Evropian.
Sipas tij, ato mund të rishpërndahen te shtetet e tjera të rajonit, të rikthehen në formën e asistencës teknike për Kosovën ose të mbeten në buxhetin e BE-së. Ai shtoi se, edhe nëse nuk ka pajtim politik për çështje të tjera, deputetët duhet të mundësojnë miratimin e reformave që lidhen me Planin e Rritjes, pasi vonesat kanë pasoja të drejtpërdrejta financiare për Kosovën.
Me zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave, Kosova do të përfitonte deri në 882.6 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, prej të cilave 253.3 milionë euro janë grante, ndërsa 629.3 milionë euro hua afatgjata.
Plani i Rritjes është një kornizë e re e BE-së e cila nxit përshpejtimin e reformave për integrim evropian të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, që kombinon reformat me kontribut të drejtpërdrejtë financiar nga fondet e Bashkimit Evropian në buxhetet e vendeve përfituese dhe projekte investuese.
