Këngëtari i njohur shqiptar, Alban Skenderaj, ka njoftuar se koncerti i shumëpritur “Motiv”, i planifikuar të mbahej gjatë muajit gusht në Vlorë, nuk do të zhvillohet sipas planit.
Lajmin e bëri të ditur vetë artisti përmes një postimi në rrjetet sociale, ku zbuloi se pas muajsh përgatitjesh intensive me një ekip të madh realizues, është detyruar të marrë vendimin për anulimin ose shtyrjen e koncertit për një datë ende të pacaktuar.
Sipas Skenderajt, ky vendim vjen si pasojë e situatës së krijuar në vend, e lidhur me protestat e vazhdueshme kundër investimeve në Vlorë. “‘MOTIV’ ishte planifikuar të vinte si një produksion gjigant në Vlorë këtë gusht.
Megjithatë, për shkak të situatës së krijuar në vend kam vendosur që koncerti i planifikuar në Vlorë të mos zhvillohet ose të shtyhet për një datë të pacaktuar”, ka shkruar këngëtari.
Foto: Alban Skenderaj/Instagram Në reagimin e tij, Skenderaj theksoi se muzika për të nuk është thjesht një profesion, por një mision për të frymëzuar njerëzit, për të dhënë shpresë dhe për të bashkuar ata që jeta i ka ndarë. Ai nuk dha një datë të re për koncertin, por la të kuptohet se shpreson ta sjellë projektin “Motiv” para publikut sapo të krijohen kushtet e duhura.
Koncerti “Motiv” pritej të ishte një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të verës në Vlorë, me një produksion të përmasave të mëdha dhe një numër të konsiderueshëm të fansave që kishin shprehur interes për ta ndjekur.
