Fundi i kultit të individit

0%

Ajo që diçka më shumë se një muaj më parë nisi si një protestë për mbrojtjen e florës dhe faunës në një nga zonat e mbrojtura të vendit, shumë shpejt e tejkaloi dimensionin ambientalist duke u kthyer në një lëvizje që artikulon kërkesa thellësisht politike. Por, jo kërkesa për ndryshime kozmetike apo për një rotacion të zakonshëm pushteti.

Përkundrazi, ajo kërkon ndryshimin rrënjësor të modelit politik që nga rënia e regjimit hoxhist. Po t’i referohesh sloganeve të saj, është e qartë se ajo kërkon kalimin nga një sistem i ndërtuar mbi kultin e individit dhe përqendrimin e pushtetit te njëshi, drejt një demokracie të mbështetur mbi institucione të forta, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien.

Për fat të keq, prej tre dekada e gjysmë Shqipëria vazhdon të vuajë pasojat e një kulture politike që e vendos individin mbi ligjin. Ku autoritarizmi i ka marrë frymën sundimit të ligjit, kur forca shpesh vlen më shumë se drejtësia, kur pushteti kërkon bindje dhe jo llogaridhënie, ndërsa ligji interpretohet sipas interesit të më të fortit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndaj nuk është rastësi që Shqipëria është i vetmi vend në rajon që ka pasur vetëm dy kryeministra gjatë njëzet vjetëve të fundit. Ky nuk është thjesht një fakt statistikor. Është tregues i përqendrimit të pushtetit dhe i mungesës së qarkullimit normal të elitave politike.

Në fillim të viteve ’90, në Shqipëri u përmbys regjimi hoxhist, u vendos pluralizmi politik, u hodhën themelet e ekonomisë së tregut dhe u hap rruga drejt integrimit euroatlantik. Megjithë këto zhvillime, te shumë individë vazhdoi të mbizotëronte bindja, e përforcuar edhe nga propaganda, niveli kulturor, psikologjia etj. se fatet e vendit mund të varen nga një njeri i vetëm.

Ne mallkuam dhe anatemuam me të drejtë kultin e Enver Hoxhës, por nuk arritëm të çrrënjosnim kulturën që e prodhoi atë. Thjesht e zëvendësuam me kulte të reja politike. Për shumë kohë, shumë individë besuan, madje për fat të keq ende ka shumë që vazhdojnë të besojnë, se çdo epokë ka liderin e saj të pazëvendësueshëm.

Fillimisht Sali Berishën, më pas Fatos Nanon dhe në vitet e fundit Edi Ramën. Ndryshuan emrat, por jo modeli. Dhe në një masë të madhe keqqeverisja buron pikërisht nga kjo logjikë.

Kur interesi personal i liderit apo i një grupi klientelist pranë tij, vendoset mbi interesin kombëtar apo interesin publik, institucionet dobësohen, korrupsioni shndërrohet në sistem dhe qytetarët humbasin besimin te shteti. Kjo politikë për dekada vrau shpresën se vendi mund të ecte përpara duke detyruar qindra mijëra të rinj të largohen.

Prandaj, ajo që po ndodh sot ka një domethënie më të madhe sesa thjeshtë një protestë e cila nëse nga mazhoranca synon të deligjitimohet, të shantazhohet, nga opozita kërkohet të shfrytëzohet për synimet e saj.

Por, ajo që dy forcat dhe lidershipi i vjetër bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe nuk duan ta pranojnë është se protesta po godet themelin mbi të cilin ata kanë ngritur ekzistencën dhe pushtetin e tyre që bazohet tek lideri i gjithëfuqishëm. Mesazhi më i rëndësishëm është i thjeshtë se askush nuk është i pazëvendësueshëm. Legjitimiteti nuk është pronë personale.

Ai buron nga besimi i qytetarëve dhe zgjat vetëm për aq kohë sa respektohet ai besim. Kur premtimet tradhtohen, kur pushteti përdoret për interesa personale dhe kur ligji shkelet për të ruajtur pushtetin, largimi nuk është padrejtësi. Është mekanizmi normal i demokracisë.

As Sali Berisha dhe as Edi Rama nuk e kishin imagjinuar se një ditë do të përballeshin me një revoltë që nuk kërkon thjeshtë rotacion pushteti. Pasi kjo nuk është një betejë për të zëvendësuar një lider me një tjetër. Është një përpjekje për të rrëzuar modelin politik mbi të cilin ata ndërtuan identitetin, pushtetin dhe ndikimin e tyre për më shumë se tri dekada.

Për vite me radhë propaganda, kontrolli mbi një pjesë të medias, klientelizmi ekonomik dhe presioni politik u përdorën për të ndërtuar figurën e liderit të pagabueshëm. Njëri ndërtoi narrativën se ishte meritë e tij personale rrëzimi i komunizmit, se ishte ai që mundësoi lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe anëtarësimin në NATO.

Tjetri përpiqet prej vitesh të bindë qytetarët se vetëm ai mund ta çojë Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Në të dy rastet mesazhi ka qenë i njëjtë, pa liderin nuk ka të ardhme. Por, historia e njerëzimit ka dëshmuar të kundërtën. Pavarësisht rolit të padiskutueshëm të individëve të shquar në historinë e kombeve, asnjë komb nuk ka përparuar falë një njeriu të vetëm.

Përparojnë shoqëritë që ndërtojnë institucione të forta, drejtësi të pavarur, media të lira dhe mekanizma kontrolli mbi pushtetin. Liderët vijnë e ikin, institucionet duhet të mbeten. Historia ka treguar gjithashtu se asnjë kult nuk është i përjetshëm.

Vjen gjithmonë një moment kur propaganda nuk mjafton më për të mbuluar realitetin, kur zhgënjimi grumbullohet, frika vritet dhe qytetarët fillojnë të shohin përtej mitit. Atëherë mjafton një shkëndijë që fasada të shembet. Aktualisht Shqipëria ndodhet në një moment të tillë.

Nëse kërkesa e sotme për ndryshim arrin të përkthehet në reforma të qëndrueshme institucionale, vendi mund të mbyllë më në fund kapitullin e gjatë të tranzicionit. Jo sepse do të ketë një qeveri tjetër, por sepse do të ketë një kulturë tjetër politike që nuk ndërtohet mbi liderë të pagabueshëm.

Shoqëritë demokratike ndërtohen mbi institucione që funksionojnë edhe kur liderët largohen, demokracitë funksionojnë kur ka ndarje dhe kufizim të pushtetit, kur ka llogaridhënie dhe mbizotëron bindja se askush nuk është mbi ligjin. Nëse ky brez i ri i mrekullueshëm, arrin ta çojë deri në fund këtë betejë, ai nuk do të ketë ndryshuar vetëm qeverinë.

Do të ketë mbyllur një kapitull që brezi ynë nuk arriti ta përfundonte pikërisht dhënien fund të epokës së kultit të individit. Dhe kjo do të ishte fitorja më e madhe në historinë tonë post-hoxhiste për t’i hapur rrugën përfundimisht anëtarësimit në BE.

Burimi: Telegrafi
REKLAMË

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për brendin tuaj.

Reklamo Këtu