Një 19-vjeçar ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pasi u identifikua si i dyshuar për një rast kanosjeje të ndodhur javën e kaluar në Prishtinë, raporton Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Enes Pajazitin, 20-vjeçar, i cili dyshohet se më 25 qershor kishte kanosur A. G., 50-vjeçar, dhe O. G., 18-vjeçar, në rrugën “Bajram Kelmendi”.
Sipas burimeve, pas analizimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe veprimeve hetimore, hetuesit e Kryeqytetit kanë arritur ta identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin mbrëmjen e 2 korrikut, rreth orës . Gjatë kontrollit të çantës së tij janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e tipit “Zoraki 917-T”, kalibër 9 mm, dy karikatorë dhe 29 fishekë të kalibrit 9 mm.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor “Qendra”, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprat penale “Kanosje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa është dërguar në ndalim për 48 orë. Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
