Qytetarët që duan të hyjnë në zyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci – për çfarëdo arsye – duhet t’i përmbahen “kodit të veshjes”, i cili sipas zyrtarëve komunalë është në aplikim që nga dita e parë e korrikut.
Me rregullin e vendosur, i cili nuk është formalizuar përmes ndonjë rregulloreje të miratuar nga administrata e komunës, ndalohet hyrja me pantallona të shkurtër, bluza pa mëngë dhe me minifunde, në zyrën e kryetarit. Më , ky rregull ka qenë e detyrueshëm edhe për qytetarët që kanë marrë shërbime në administratën komunale, por më pas është tërhequr për t’u rishqyrtuar nga zyra ligjore.
Drejtori i Administratës, Alban Fejzullahu, e ka cilësuar veprimin fillestar si “të ngutshëm”, duke thënë se ishte keqinterpretuar dhe aplikuar për qytetarët, ndonëse fillimisht ishte menduar vetëm për kabinetin e kryetarit. “Ka ardhur si ide e kryetarit, por fillimisht ka qenë për kabinet.
Ka qenë një vendim i ngutshëm i një zyrtari aty, d.m.th, e ka keqkuptuar, e ka vendosur aty poshtë për qytetarë”- tha ai. Pas shqyrtimit të çështjes, sipas zëdhënësit të Komunës, Shkelzen Haliti, është vendosur që qytetarët të mos lejohen të hyjnë në kabinetin e kryetarit me “veshje të papërshtatshme”, kërkesë kjo që, sipas tij, ka ardhur që nga fillimi nga kryetari Faton Peci.
Për qytetarët që drejtohen në administratën komunale për të marrë shërbime, ky vendim nuk vlen. “Kjo sepse shërbimi i komunës si institucion është obligativ dhe nuk mund t’ua ndalojmë qytetarëve të marrin shërbime. Ndërsa në kabinet nuk ofrohen shërbime direkte për qytetarin, mirëpo konsultime e diskutime.
Nuk mund të hyjnë në çfarëdo forme, sepse mund të ketë tendenca të ndryshme…, dhe që mos të vijë puna të ndonjë keqkuptim”- potencoi zëdhënësi. Haliti shtoi se imazhi ilustrues ku pasqyrohet rregulli i Komunës do të vendoset pranë zyrës së kryetarit. “[Ilustrimi] Ka qenë i vendosur por ka rënë. Edhe ashtu do ta vendosim derën e re dhe qasjen për qytetar me aftësi të kufizuara.
Ilustrimi do të vendoset prapë”- tha ai. Sipas zëdhënësit, kodi i veshjes vazhdon të respektohet për zyrtarët komunalë në të gjithë institucionin. Asamblisti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-drejtor i Administratës, Gëzim Stavileci, tha për KALLXO.com se ky rregull i vënë nga Komuna është “fyerje e hapur për qytetarët”.
Stavileci konsideron se ky lloji kodi përbën edhe paragjykim të drejtpërdrejtë nga institucioni. “Ky kod që po e diskutojmë është shenjë e një mentaliteti tjetër ‘Unë lart – ti poshtë’. Ky nuk është profesionalizëm, është arrogancë. Zyra e kryetarit dhe e gjithë komuna duhet të jetë e hapur për qytetarin”- theksoi asamblisti.
Megjithatë, vendimi fillestar i Komunës, i cili më pas u tërhoq si i gabuar, u mbështet nga dy qytetarët e intervistuar nga KALLXO.com. “Shumë mirë e kanë bërë. Meqenëse se komuna është vend serioz, le të jetë edhe veshja serioze. Po, edhe për zyrën e kryetarit duhet të vlejë”- tha qytetari Besnik Sejdiu. “Moti është dashur të ishte ky vendim.
Duhet të vlejë në përgjithësi, edhe për qytetarët edhe për zyrtarët”- u shpreh qytetari Ismet Jusufi. Ndryshe nga ta, qytetarja Lumturije Braha, shpreh bindjen se “Komuna nuk mund t’i tregojë popullit se çka me vesh”.
