Studentët në Serbi nuk duhet të merren me çështjen e Kosovës, pasi Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, deklaroi të enjten aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Aida Çoroviq. Ajo tha se kushdo që nuk pajtohet me këtë realitet mund ta vizitojë Kosovën për ta parë situatën në terren. “ Studentët nuk duhet të merren me temën e Kosovës. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran…
Nëse dikujt nuk i pëlqejnë këto fjalë ose e lëndon fakti që Kosova është shtet i pavarur, atëherë le të shkojë në Kosovë. Aty e pret Policia e Kosovës, nuk mund të paguajë me dinarë dhe nuk funksionojnë më institucionet e Serbisë. Sipas të gjitha gjasave, edhe Universiteti paralel i Prishtinës do të mbyllet.
Nuk ekziston më asnjë institucion i Serbisë që funksionon në Kosovë” , deklaroi ajo. Çoroviq shtoi se ka miq serbë nga veriu i Kosovës, të cilët, sipas saj, udhëtojnë drejt Novi Pazarit dhe Rashkës për të tërhequr para, pasi bankomatët serbë nuk funksionojnë në Kosovë. “ Posta nuk funksionon dhe praktikisht asnjë institucion serb nuk është funksional.
Problemi nuk janë deklaratat e mia, por fakti që disa njerëz nuk e pranojnë të vërtetën. Ky është problemi i tyre”, tha ajo. Aida Çorovic u bë e njohur për publikun pasi dje hodhi vezë në muralin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq në Beograd. Ajo u sulmua nga përkrahësit e kriminelit Mlladiq e më pas u arrestua edhe nga policia.
“Jam aktiviste e të drejtave të njeriut për shumë vite dhe pozicioni im është të qëndrojë prapa të gjithë viktimave të Srebrenicës”, tha Corovic pas arrestimit, shkruan Klix.ba.
