Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), e cila u mbajt me ftesë të Komandantit Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR) dhe njëherësh Komandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (EUCOM), gjeneralit Alexus G. Grynkewich.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë ceremonisë u bë dorëzimi i detyrës nga gjenerali Christopher T. Donahue. Jashari shprehu mirënjohje për kontributin dhe udhëheqjen e Donahue, duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme që ai ka dhënë për zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy forcave.
Nga ana e tij, Donahue falënderoi komandantin e FSK-së për pjesëmarrjen në ceremoni dhe për bashkëpunimin e ngushtë gjatë periudhës së mandatit të tij, duke theksuar zgjerimin e aktiviteteve të përbashkëta, përfshirë trajnimet dhe ushtrimet që kanë rritur ndërveprueshmërinë dhe partneritetin mes FSK-së dhe ushtrisë amerikane.
Në kuadër të ceremonisë, Jashari zhvilloi takime edhe me homologë nga vendet partnere të NATO-s, si dhe me zëvendëskomandantin dhe ushtruesin e detyrës së komandantit të USAREUR-AF, gjeneralmajor Christopher Norrie. Palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e aktiviteteve të përbashkëta.
FSK bëri të ditur se në përfundim të ceremonisë u rikonfirmua përkushtimi i ndërsjellë për thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet FSK-së dhe USAREUR-AF, me synim avancimin e kapaciteteve mbrojtëse, forcimin e sigurisë dhe ruajtjen e stabilitetit e paqes në Kosovë dhe rajon.
