Drejtori gjeneral i fabrikës “VITA”, Artan Spahia, para mediave ka thënë se pas një inspektimi të kryer sot më nga inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë kanë marrë vendim ta mbyllin fabrikën për një afat shtatëditor. Ai tha se nga sot () fabrika nuk do të punojë. “Sot e mbyllim fabrikën deri në njoftimin e radhës.
Vendimi është që të mbyllet deri sa ata të dalin me një vendim me rezultatet. Ne i kemi kontrollet e analizat të gjitha. Fermerë ju kërkojmë falje por ministri në detyrë është ai që po ju mbyll juve e po ju falimenton. Shpresoj që të kthehemi pas shtatë dite. Nga sot, qumështorja “VITA” nuk punon dhe nuk pranon qumësht”- ka thënë ai.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, përmes një postimi ka thënë se “kontrollet që po zhvillon Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit janë pjesë e mandatit të saj të rregullt ligjor për të mbikëqyrur zbatimin e Ligjit për Ushqimin dhe standardeve të sigurisë ushqimore njëjtë edhe kjo sot në kompaninë ‘Vita’”.
“Qëllimi i vetëm i këtyre kontrolleve është mbrojtja e interesit publik. Ato shërbejnë për të garantuar sigurinë e ushqimit, për të mbrojtur konsumatorët dhe për të siguruar kushte të drejta për prodhuesit dhe përpunuesit që respektojnë ligjin.”- ka shkruar Muja.
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka quajtur zhvillimet e sotme – goditje ndaj prodhimit vendor. “Goditja ndaj qumështores VITA është goditje ndaj prodhimit vendor, ndaj fermerit të Kosovës dhe ndaj çdo familjeje që jeton nga puna e ndershme.
Mbyllja e njërit prej prodhuesve më të mëdhenj vendorë, me direktiva të Qeverisë në detyrë, nuk është vetëm sulm ndaj një kompanie. Është goditje ndaj mijëra fermerëve që e dorëzojnë qumështin e tyre çdo ditë, ndaj qindra punëtorëve që sigurojnë bukën e familjeve të tyre dhe ndaj gjithë ekonomisë së vendit”- ka shkruar Haradinaj.
KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Bujqësisë dhe është në pritje të përgjigjes.
