OBSH shpall fundin e shpërthimit të Hantavirusit: Nuk ka raste të

0%

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, njoftoi se shpërthimi i Hantavirusit konsiderohet zyrtarisht i përfunduar, pasi kontakti i fundit i një personi të ekspozuar rezultoi negativ dhe përfundoi periudhën e karantinës.

“Kontakti i fundit i një personi të ekspozuar ndaj Hantavirusit në anijen turistike MV Hondius ka përfunduar periudhën e karantinës, ka rezultuar negativ në testim dhe është kthyer në shtëpi. Që nga 25 maji nuk janë raportuar raste të tjera. Prandaj, kemi kënaqësinë të njoftojmë se OBSH e konsideron të përfunduar shpërthimin e Hantavirusit”, deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Sipas OBSH-së, numri i përgjithshëm i rasteve gjatë këtij shpërthimi mbetet 13, ndërsa tre persona humbën jetën. Autoritetet shëndetësore identifikuan dhe monitoruan më shumë se 650 kontakte në 33 vende. Megjithatë, Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se puna nuk përfundon me mbylljen e shpërthimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tedros bëri të ditur se OBSH do të vijojë bashkëpunimin me qeveritë dhe partnerët ndërkombëtarë për të studiuar më tej Hantavirusin dhe për të përmirësuar njohuritë mbi zhvillimin e sëmundjes.

Po ashtu, organizata po koordinon një studim ku marrin pjesë 21 shtete, me synim zhvillimin e metodave më të avancuara diagnostikuese, trajtimeve dhe vaksinave që mund të përdoren në raste të ngjashme në të ardhmen.

Në përfundim të deklaratës së tij, kreu i OBSH-së falenderoi Argjentinën, Kepin e Gjelbër, Kilin, Holandën, Afrikën e Jugut, Mbretërinë e Bashkuar dhe veçanërisht Spanjën për solidaritetin e treguar në mundësimin e zbarkimit dhe riatdhesimit të sigurt të pasagjerëve dhe ekuipazhit të anijes në Tenerife.

Burimi: Bota Sot