Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka ftuar të gjithë futbollistët dhe futbollistet nga diaspora që gjatë pushimeve verore që qëndrojnë në Kosovë ta shfrytëzojnë Kampin Nacional në Hajvali për zhvillimin e seancave stërvitore.
Sipas njoftimit të FFK-së, sot më kampi do të jetë i hapur për futbollistë të të gjitha kategorive, pavarësisht ligës ku aktivizohen apo kombëtares që përfaqësojnë. “Pavarësisht se në cilën ligë aktivizohen apo cilën kombëtare e përfaqësojnë, Kampi Nacional është i hapur për të gjithë ata që këto ditë vere i kalojnë pranë familjeve të tyre në Kosovë.
Synimi ynë është t’ju ofrojmë kushte profesionale stërvitore dhe t’i mirëpresim gjithmonë në shtëpinë e futbollit të Kosovës” – thuhet në njoftimin e FFK-së. Federata ka bërë të ditur se të gjithë të interesuarit duhet të paraqesin kërkesë përmes postës elektronike, duke specifikuar datën ose datat e dëshiruara për stërvitje, orarin e preferuar, numrin e pjesëmarrësve dhe vitin e lindjes.
Po ashtu, FFK ka njoftuar se për grupet me më shumë se pesë pjesëmarrës do të ofrojë edhe asistencë profesionale përmes trajnerëve të saj gjatë seancave stërvitore, në përputhje me orarin dhe kapacitetet e Kampit Nacional. Sipas Federatës, kjo nismë synon t’u krijojë futbollistëve nga diaspora mundësinë të vazhdojnë stërvitjet në kushte profesionale edhe gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë.
