Inteligjenca Artificiale pa kontroll në Ballkanin Perëndimor

0%

“Unë jam asistenti juaj virtual. Mirë se vini!” Ky është mesazhi me të cilin qytetarët në Ballkanin Perëndimor përballen gjithnjë e më shpesh kur vizitojnë faqet zyrtare të institucioneve ose bankave. Në vend të një punonjësi, pyetjeve të tyre u përgjigjen chatbotë, ose asistentë virtualë, të bazuar në inteligjencën artificiale (Al).

Megjithatë, përdorimi i teknologjive si kjo ende nuk është i rregulluar qartë me ligj. Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia ndodhen në faza të ndryshme të zhvillimit dhe përdorimit të Al, veçanërisht në administratën publike.

Përgjigjet e institucioneve shtetërore, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë , tregojnë se shumica nuk kanë rregulla të qarta nëse nëpunësit publikë lejohen të përdorin mjete të Al, si ChatGPT, Copilot apo Gemini, gjatë kryerjes së punës së tyre. Po ashtu, shumica e institucioneve nuk mbajnë evidencë se sa dhe si përdoren këto mjete.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në disa raste mungojnë edhe masat teknike që do të parandalonin futjen e dokumenteve zyrtare ose të të dhënave personale të qytetarëve në platformat e Al.

Disa institucione e pranojnë se punonjësit e tyre e përdorin Al për të hartuar dokumente, për të përkthyer tekste, për të korrigjuar shkrime, për të kryer detyra administrative, për të analizuar sasi të mëdha të të dhënave ose për të kërkuar informacione. Të tjerat thonë se një praktikë e tillë nuk përdoret.

Por, pavarësisht kësaj, gati të gjitha pajtohen se mungon një kuadër i posaçëm ligjor për përdorimin e Al dhe se rreziqet më të mëdha lidhen me mbrojtjen e të dhënave personale dhe sigurinë e informacionit. Sipas tyre, përgjegjësinë për çdo keqpërdorim të dokumenteve ose të të dhënave e mban vetë personi që përdor mjetet e inteligjencës artificiale.

“Përdorimi i inteligjencës artificiale nuk mund të ndalohet. Është njësoj sikur dikush të më ndalonte të përdor një nga gjuhët që di. Por, ai mund të rregullohet me ligj”, thotë për Radion Evropa e Lirë eksperti gjyqësor i teknologjisë së informacionit në Bosnje dhe Hercegovinë, Enes Çengiq.

Ai paralajmëron se përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm me informacionin që fusin në platformat e inteligjencës artificiale, pasi, sipas tij, të dhënat e futura në këto sisteme mund të ruhen në serverë dhe, në rrethana të caktuara, të rikuperohen edhe më vonë.

Mjetet e inteligjencës artificiale, pa rregulla të qarta përdorimi Ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Evropian tashmë kanë nisur zbatimin e Aktit për Inteligjencën Artificiale (AI Act), vendet e Ballkanit Perëndimor janë ende në fazën e hartimit të ligjeve, strategjive dhe udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale, si dhe të përafrimit të tyre me rregullat e BE-së.

Si e ka rregulluar BE-ja përdorimin e inteligjencës artificiale? Bashkimi Evropian ka miratuar Aktin për Inteligjencën Artificiale (AI Act) – ligjin e parë gjithëpërfshirës në botë që rregullon zhvillimin, hedhjen në treg dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale.

Disa forma të përdorimit të inteligjencës artificiale janë plotësisht të ndaluara, ndërsa për të gjitha sistemet, ligji përcakton kërkesa të rrepta për sigurinë, transparencën, menaxhimin e të dhënave dhe mbikëqyrjen njerëzore, si para ashtu edhe gjatë përdorimit të tyre.

Rregullat nuk vlejnë vetëm për kompanitë me seli në Bashkimin Evropian, por për të gjithë ofruesit e sistemeve të inteligjencës artificiale, produktet ose shërbimet e të cilëve përdoren në tregun e BE-së. Bosnje dhe Hercegovina nuk ka ende ligj që e rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale, sidomos në institucionet shtetërore.

Një ligj i tillë, madje, nuk është hartuar as në formë drafti. Nga përgjigjet që Radio Evropa e Lirë ka marrë nga disa institucione shtetërore, rezulton se disa prej tyre kanë vërejtur se punonjësit ose nuk përdorin fare mjete të inteligjencës artificiale, ose i përdorin në masë të kufizuar.

Kur përdoren, ato shërbejnë kryesisht për hartimin e teksteve, përkthime, korrektim gjuhësor dhe detyra administrative. Të gjitha institucionet që janë përgjigjur, pranojnë se Bosnje dhe Hercegovina nuk ka një kornizë të përbashkët ligjore për përdorimin e mjeteve të inteligjencës artificiale në administratën publike.

Ato kërkojnë miratimin e rregullave të përafruara me standardet e Bashkimit Evropian. Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës, për shembull, thotë se punonjësit mund t’i përdorin vetëm ato mjete të inteligjencës artificiale që janë miratuar nga shërbimi i teknologjisë informative i institucionit. Këto mjete mund të përdoren për përpunim tekstesh, përkthime ose gjenerim idesh.

Punonjësve të Prokurorisë u ndalohet të fusin në sisteme publike të inteligjencës artificiale të dhëna personale të qytetarëve, të dhëna nga lëndët penale, sekrete zyrtare, drafte të akteve të papublikuara ose informacione të tjera konfidenciale.

Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës thotë se, për rreth 50 ministri dhe agjenci, aktualisht ofron rekomandime profesionale për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të mjeteve të inteligjencës artificiale, sidomos për mbrojtjen e të dhënave dhe sigurinë kibernetike.

Nga ky sekretariat theksojnë se për hartimin e kornizës së ardhshme ligjore, përgjegjëse është Ministria e Komunikimeve dhe Transportit e Bosnje dhe Hercegovinës. Kjo ministri konfirmon për Radion Evropa e Lirë se po punon në një plan për përafrimin e rregullave me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.

Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale e Bosnje dhe Hercegovinës thotë se përdorimi i inteligjencës artificiale në përpunimin e të dhënave, nuk është i rregulluar veçmas me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Sipas saj, rregullimi i përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale në administratën publike nuk është në kompetencën e kësaj agjencie.

Megjithatë, agjencia thekson se institucionet që përpunojnë të dhëna personale, duhet të zbatojnë masa të përshtatshme teknike dhe organizative për mbrojtjen e tyre. Ato duhet të vlerësojnë edhe rreziqet e çdo përpunimi të të dhënave, përfshirë rastet kur përdoren mjete të inteligjencës artificiale.

Shumica e kompetencave në Bosnje dhe Hercegovinë janë në nivelin e dy entiteteve, administrata e të cilave numëron rreth 28 mijë zyrtarë. Megjithatë, as Federata e Bosnje dhe Hercegovinës, as Republika Sërpska nuk kanë rregulla të posaçme që do ta rregullonin në hollësi përdorimin e inteligjencës artificiale në sektorin publik.

Ndërsa disa institucione, si Agjencia e Prokurimit Publik e Bosnje dhe Hercegovinës, po zhvillojnë chatbotë, sektori privat – përfshirë bankat dhe zinxhirët e mëdhenj tregtarë – tashmë i përdor këto mjete. Zakonisht, ato zhvillohen në bashkëpunim me platforma komunikimi, si Viber ose WhatsApp.

Modernizimi i shërbimeve në Kosovë As Kosova nuk ka ligj të posaçëm që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale në administratën publike.

Strategjia për e-qeverisje 2023-2027 parashikon përfshirjen e zgjidhjeve të avancuara digjitale – mes tyre: mjetet e inteligjencës artificiale dhe analizën e sasive të mëdha të të dhënave, si pjesë e procesit të digjitalizimit të shërbimeve publike.

Në praktikë, tashmë po testohen disa zgjidhje të tilla si platforma e-Kosova 2.0 dhe projektet në Administratën Tatimore të Kosovës, të cilat synojnë t’i automatizojnë proceset dhe t’u ofrojnë qytetarëve shërbime më të shpejta dhe më të personalizuara.

Prokuroria e Shtetit të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se punonjësit e saj nuk përdorin asnjë mjet të inteligjencës artificiale në punën hetimore, administrative apo mbështetëse. Institucionet e Kosovës, ndërkohë, thonë se po punojnë për t’i përafruar rregullat me standardet e Bashkimit Evropian.

Gjatë vitit 2026 ka nisur edhe një vlerësim i gatishmërisë së Kosovës për t’u harmonizuar me Aktin e BE-së për Inteligjencën Artificiale (AI Act) dhe Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR).

Krenare Sogojeva Dermaku, komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk përmban rregulla të veçanta për rastet kur të dhënat personale mund të ekspozohen ose keqpërdoren përmes mjeteve të inteligjencës artificiale.

Sipas saj, çdo keqpërdorim i të dhënave trajtohet sipas rregullave të përgjithshme të ligjit, pavarësisht nëse përfshin ose jo inteligjencën artificiale. Ajo rikujton se Kosova është anëtare e Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, ku qytetarët dhe institucionet mund të drejtohen në rast se të dhënat e tyre keqpërdoren

Burimi: Telegrafi