Tensione dhe përplasje janë raportuar më para objektit të Kuvendit të Shqipërisë, gjatë protestës në të njëjtën kohë që po zhvillohej seanca parlamentare. Siç raporton Top Channel , se gjatë këtyre përleshjeve, shtatë efektivë të Policisë së Shtetit dhe një protestues kanë mbetur të plagosur. Po ashtu, janë shoqëruar 18 persona që dyshohet se kanë sulmuar me vezë dhe sende të tjera.
Sipas raportimeve të mediave shqiptare, situata është përshkallëzuar kur një pjesë e protestuesve kanë hedhur vezë drejt deputetëve dhe automjeteve të tyre, si dhe sende të tjera, përfshirë shishe uji. Më pas, thuhet se protestuesit janë përpjekur të çajnë kordonin metalik të sigurisë dhe të hyjnë në ambientet e brendshme të Kuvendit.
Policia ka reaguar duke përdorur masa për shpërndarjen e turmës, përfshirë gaz lotsjellës dhe ujë me presion, ndërsa disa persona janë shoqëruar në komisariat. Në terren është raportuar edhe prania e forcave të shumta policore për të mbajtur situatën nën kontroll, ndërsa tensionet kanë vijuar për disa kohë para Kuvendit.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Besfort Lamallari, ka vizituar efektivët e lënduar në Spitalin e Traumës, raporton RTV Klan . Ai ka deklaruar për mediat se personat e përfshirë në sulme ndaj policisë janë identifikuar dhe do të përballen me drejtësinë, duke i cilësuar veprimet e tyre si “akte kriminale”.
“Kam një mesazh për të gjithë ata vandalë që guxuan të hedhin gurë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Janë identifikuar dhe do të vihen para drejtësisë menjëherë. Do të marrin përgjigjen më shembullore që parashikon ligji. Ky është një akt kriminal”- citohet të ketë deklaruar Lamallari.
Ndryshe, tani që seanca është mbyllur, raportohet se protestuesit po gjuajnë sërish me vezë dhe sende të tjera në drejtim të deputetëve. Dhjetëra qytetarë po pretestojnë në Tiranë në atë që tashmë quhet “Revolucioni i Flamengove”. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që bëhen thirrje që ai dhe lideri i PD-së, Sali Berisha, të përfundojnë në burg.
Rama vazhdon të mbrojë projektin për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës, përkundër protestave. Zona ku kanë nisur punimet është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo konsiderohet një nga habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe ata migratorë, përfshirë flamingot.
Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump. Në mars të vitit 2024, Kushner deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.
