Diversifikimi i burimeve të energjisë është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë energjetike, konkurrueshmërinë e ekonomisë dhe tërheqjen e investimeve në Kosovë. Ky ishte mesazhi kryesor i tryezës “Gazi si burim i energjisë: Gjendja aktuale dhe perspektiva”, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Instituti Riinvest.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, tha se energjia nuk duhet parë vetëm si çështje teknike. “Energjia nuk është vetëm një çështje teknike, ajo është një çështje ekonomike, zhvillimore dhe mbi të gjitha, një çështje e sigurisë kombëtare”, tha ai. Ai theksoi se bizneset kanë nevojë për furnizim të sigurt dhe energji me çmim konkurrues.
“Për biznesin prioritet është që energjia të jetë e disponueshme, e sigurt dhe me një çmim konkurues”, theskoi ai. Sipas Rafunës, debati për gazin duhet të zhvillohet mbi baza profesionale dhe jo emocionale.
“Nëse gazi mund të kontribuojë në diversifikimin e burimeve të energjisë, në rritjen e sigurisë energjetike, në uljen e kostove dhe krijimin e kushteve më të mira për biznesin, atëherë ai duhet të analizohet seriozisht dhe profesionalisht. Jo mbi baza emocionale, jo mbi baza politike, por mbi baza ekonomike dhe strategjike”, tha ai.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Riinvest, Alban Hashani, tha se politika energjetike lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin ekonomik të vendit. “Energjia sot është një nga faktorët kryesorë që përcakton konkurrueshmërinë e ekonomisë, aftësinë për të tërhequr investime, zhvillimin industrial dhe mirëqenien e qytetarëve”, theksoi ai.
Ai shtoi se zhvillimet e fundit gjeopolitike dhe në tregjet e energjisë kërkojnë rishikimin e Strategjisë së Energjisë. “Ka ardhur koha që edhe strategjia e energjisë të rishikohet dhe të përditësohet në mënyrë që të reflektojë këto zhvillime dhe nevojat e dekadave që vijnë”, tha ai. Hashani theksoi se siguria energjetike arrihet përmes një miksi të burimeve.
“Diversifikimi është themeli i sigurisë energjetike. Në këtë kuadër duhet të shihet edhe roli potencial i gazit natyror”, tha ai. Nga ana tjetër, kryetari i Shoqatës së Prodhuesve të Kosovës, Kushtrim Ajvazi, tha se prodhuesit kanë kaluar periudha kur sfida kryesore nuk ishte çmimi, por sigurimi i energjisë.
“Kemi pasur situata të tilla ku kostoja nuk është diskutuar në tavolinat e prodhuesve, se sa do të paguhet, por vetëm që të kemi energji elektrike”, tha ai. Ai vlerësoi se gazi natyror mund të ofrojë stabilitet më të madh për sektorin prodhues. “Gazi natyror ka një çmim të qëndrueshëm dhe historikisht nuk ka pasur luhatje shumë të mëdha të çmimit.
Kjo është një përparësi për sektorin prodhues, sepse mundëson planifikimin e kostos”, theksoi ai.
