Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Këngëtari amerikan Chris Brown është shpallur përgjegjës për një sulm të rëndë nga qeni në shtëpinë e tij në Kaliforni, ku pastruesja Maria Avila nga plagët mbeti me dëmtime të përhershme.
Pas një gjyqi dyjavor në Los Angeles, juria vendosi që Brown dhe kompania e tij Black Pyramid LLC t’i paguajnë Avilës 12.9 milionë dollarë dëmshpërblim për neglizhencë, ka raportuar BBC. Sulmi ndodhi në vitin 2020, kur Avila po nxirrte mbeturinat në shtëpinë e Brown në Tarzana. Ajo u sulmua nga qeni i racës Caucasian Shepherd, i quajtur Hades, i cili peshonte rreth 90 kilogramë.
Sipas Avilës, qeni i shqeu pjesë të mëdha të lëkurës, duke i shkaktuar shpërfytyrim të përhershëm në fytyrë, plagë të rënda, humbje të pjesshme të shikimit dhe dëmtime në nerva. Gjatë gjyqit u tha se Brown nuk telefonoi shërbimet e emergjencës, por u largua nga shtëpia, duke ua lënë punonjësve të tij kujdesin për të plagosurën.
Ai argumentoi se kishte frikë se prania e tij do të krijonte një “cirk mediatik”. Brown dëshmoi se kishte dëgjuar qenin duke hungërirë dhe kur zbriti poshtë e gjeti Avilën “të shtrirë pa lëvizur dhe të mbuluar me shumë gjak”. “Pamja e gjakut më tronditi. Isha në shok dhe, me këshillën e menaxherit tim, u largova para se të mbërrinin shërbimet e emergjencës”, ka thënë ai.
Këngëtari pranoi një pjesë të përgjegjësisë, por kundërshtoi shkallën e lëndimeve dhe pretendoi se Avila kishte gjithashtu faj. Ai tha se i kishte paralajmëruar pastrueset që qentë “nuk ishin aspak miqësorë” dhe se nuk duhej të dilnin jashtë pa praninë e rojeve të sigurisë.
Megjithatë, Maria Avila dhe motra e saj Patricia e mohuan këtë pretendim, duke thënë se një bisedë e tillë nuk kishte ndodhur dhe se pengesa gjuhësore do ta kishte bërë të vështirë komunikimin. Brown ka deklaruar se qeni mbahej nga rojet e sigurisë për të mbrojtur pronën, duke shtuar: “Përballem shpesh me raste përndjekjeje”.
Për shkak të sulmit, Avila iu nënshtrua operacioneve dhe transplantimit të lëkurës në krah. Ajo tha se nuk mund të punojë më si pastruese, pasi ka humbur forcën në krah dhe vuan nga stresi post-traumatik që e pengon të qëndrojë pranë qenve.
Juria urdhëroi të paguhen gjithashtu 885 mijë dollarë për motrën e saj, Patricia, ndërsa bashkëshortit të Avilës, Oscar Olivo, iu dhanë 50 mijë dollarë. “Pas më shumë se pesë vjetësh betejë ligjore kundër Chris Brown, jemi të lumtur që klientja jonë më në fund mori drejtësi.
Jemi shumë të lumtur për të dhe familjen e saj pas gjithçkaje që përjetuan atë ditë të tmerrshme”, ka deklaruar Avokati i Patricias, Michael C. Murphy. Brown ndodhet aktualisht në turne në SHBA me këngëtarin Usher. Ndërkohë, në muajin tetor ai pritet të dalë në gjyq në Britani, ku akuzohet për sulm ndaj një producenti muzikor në një klub nate në vitin 2023.
