Shpërndaje në: Qytetarët në Tiranë kanë vazhduar protestën të enjten në mëngjes kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së drejtuar prej tij. Ata janë mbledhur para Parlamentit, aty ku pas orës nisi seanca plenare. Mediat në Shqipëri raportojnë se ka pasur incidente, pasi protestuesit kanë qëlluar me vezë deputetët. Gjashtë persona janë shoqëruar në Polici.
Masat e sigurisë rreth Parlamentit janë shtuar që para nisjes së tubimit të qytetarëve. Përveç gardhit metalik dhe rrethimit të zonës, janë pozicionuar një autoblindë e forcave të sigurisë si dhe një autobot uji, i cili përdoret zakonisht për shpërndarjen e protestuesve në raste të përshkallëzimit të situatës.
Protestuesit kanë tentuar ta çajnë kordonin e policisë dhe ka pasur përplasje me forcat e rendit. Policia është kundërpërgjigjur me spraj lotsjellës, raportoi Euronews. Paraprakisht, disa protestues janë futur brenda një lokali ku ndodheshin deputetët dhe i kanë qëlluar me vezë dhe miell.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në seancë me arsyetimin se “Kuvendi është rrethuar nga qindra efektivë policie për të shuar zërin e qytetarëve që protestojnë”. Të martën gjithashtu, protestuesit zhvilluan një protestë para Parlamentit ku u regjistruan disa incidente. Situata u tensionua ku pati përplasje fizike dhe hedhje të mjeteve piroteknike.
