Nga: Demush Shasha Shpërndaje në: Revolucioni Flamingo është sfida më e bukur që shoqëria shqiptare ka mundur t’i dhurojë vetes. Ajo është duke sfiduar veten që të ketë politikanë më të mirë se Edi Rama dhe Sali Berisha, biznesmenë më të ndershëm se Artur Shehu dhe Shefqet Kastrati, dhe mediat më të lira se Top Channeli dhe Klani Cila është receta për një jetë të lumtur?
Përgjigjja që unë do të kisha dhënë është që në vazhdimësi ta sfidosh veten. Ta sfidosh veten çdo ditë të jesh më i dashur ndaj njerëzve, të kuptosh botën më mirë, të lexosh më shumë, e kështu me radhë. E njëjta përgjigje vlen edhe për shtetet. Kësisoj Revolucioni Flamingo është sfida më e bukur që shoqëria shqiptare ka mundur t’ia dhurojë vetes.
Ajo është duke e sfiduar veten që të ketë politikanë më të mirë se Edi Rama dhe Sali Berisha, biznesmenë më të ndershëm se Artur Shehu dhe Shefqet Kastrati, dhe media më të lira se Top Channeli dhe Klani. Dhe dje në inaugurimin e muajit të dytë të protestës qytetarët sfiduan edhe SPAK-un që më në fund të jetësojë ëndrrën e vet e të qenit “hero i fëmijëve tanë”.
Por në gjithë ketë sfond qytetarët shqiptarë janë duke sfiduar edhe një akter të shoqërisë shqiptare – Bashkimin Evropian. Historikisht në procesin e zgjerimit të BE-së, Bashkim Evropian ka qenë ai ylli polar, ai fanari ndriçues, ai akter i cili çdo herë ka kërkuar më shumë e më fort nga vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE.
Receta tipike e procesit të zgjerimit ka ngelur gjithmonë e njëjtë: BE-ja ka vendosur kriteret “evropiane”, institucionet i kanë përmbushur, ndërsa qytetarët kanë qenë spektatorë pasivë të gjithë kësaj pune. Tani për herë të parë kjo dinamikë është duke u sfiduar rrugëve të Tiranës.
Tani janë qytetarët shqiptarë ata që janë duke imponuar kriteret “evropiane” që duhet të përmbushen nga institucionet e tyre dhe nga vetë BE-ja. Thënë ndryshe, nëse deri dje kishim Kriteret e Kopenhagës, sot po lindin Kriteret e Tiranës. Për të ilustruar ketë merrni shembull vetëm pozicionet e BE-së dhe protestuesve ndaj temave që kanë qenë në epiqendër të protestave.
Sipas BE-së kuadri zgjedhor i Shqipërisë është në përgjithësi në rregull. Zgjedhjet në Shqipëri janë të lira dhe fer, duhet aty-këtu ndonjë ndryshim teknik të cilin ndonjë mision i radhës i BE-së mund ta këshillojë se si të rregullohet – në dialog dhe negociata me partitë kryesore politike. Kjo është diametralisht e kundërt nga pozicioni i protestuesve.
Ata thonë “Rama në burg, Berisha në burg”. Për ta problemi nuk është teknik, por politik. Ata nuk kërkojnë rregulla të reja, por një klasë të re politike. Ose merreni Sazanin dhe projektin e dhëndrit të Trumpit.
Sipas Marta Kos, komisionere e BE-së për Zgjerim, projekti “duhet të jetë në harmoni me kornizën ligjore të BE-së dhe kriteret mjedisore të kapitullit 27 të legjislacionit të BE-së”. Sipas protestuesve ky është pazar korruptiv që në fillimet e tij dhe nuk ka kapitull në botë që mund ta shpëtojë atë. Dhe ky është paradoksi më i bukur i protestave.
Qytetarët shqiptarë nuk po sfidojnë Bashkimin Evropian sepse kërkojnë më pak Evropë. Ata po e sfidojnë sepse kërkojnë më shumë. Ky sfidim i BE-së nga ana e protestuesve është dhurata më e mirë që qytetarët shqiptarë kanë mundur t’ia dhurojnë BE-së. Kërkesat e protestuesve janë tregues i një pjekurie qytetare që i bën ata të duken plotësisht finlandezë e gjermanë.
Kërkesat e tyre janë treguesi më elegant se shoqëria shqiptare ka evoluar përtej çdo “kapitulli” dhe “acquis-e” të BE-së. Përderisa BE-ja insiston në procedura, “screening” dhe “IBAR”, qytetarët shqiptarë po insistojnë në transparencë, drejtësi dhe llogaridhënie.
Kësisoj aksidentalisht BE-ja ka gjetur te qytetarët shqiptarë aleatin e vet më të mirë jo vetëm për ndryshimin e Shqipërisë, por për ndryshimin e gjithë procesit të zgjerimit. Për vite të tëra BE-ja ka qenë e obsesionuar se si ta kthejë procesin e integrimit nga një proces formal “ticking the box” në një proces thelbësisht reformues të vendit.
Qytetarët shqiptarë janë duke ia treguar rrugën.
