Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Europian, Jeton Zulfaj, ka deklaruar se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim në BE mbeten prioritetet kryesore të Kosovës. Ai u shpreh me shpresë të ketë lëvizje në këtë drejtim meqenëse Irlanda nga sot, , ka marrë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian.
Para Irlandës, Presidencën e Këshillit të BE-së e kishte Qipro, një vend që ende nuk e ka njohur Kosovën e pavarur. “Marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave janë prioriteti ynë kryesor.
Ne kemi aplikuar për anëtarësim më 15 dhjetor të vitit 2022 dhe po bëjmë përpjekje që, bashkë me presidencën e Irlandës dhe Komisionin Europian, të hyjë në agjendën e Bashkimit Europian statusi kandidat për Kosovën. Megjithatë, ky nuk është vendim që na takon neve, është një vendim që duhet ta marrë Bashkimi Europian.
Ne kemi plotësuar të gjitha kërkesat dhe kriteret që kërkohen në një proces meritor për anëtarësim, si për marrjen e statusit kandidat, ashtu edhe për hapjen e negociatave”- deklaroi Zulfaj. Zulfaj tha se sipas vlerësimeve të institucioneve të Kosovës vendi është në pozitë më të favorshme sesa shtetet e tjera të rajonit në kohën kur ato kanë marrë statusin e kandidatit.
“Ne po e bëjmë punën tonë dhe sigurisht po bëjmë përpjekje maksimale që të arrijmë konsensus brenda Bashkimit Europian për ta marrë statusin e vendit kandidat. Shpresojmë shumë që gjatë Presidencës së Irlandës ky proces të intensifikohet edhe më shumë dhe çështja e Kosovës të marrë vëmendjen që meriton”- tha ai.
Ai tha se krahasuar me vendet e tjera të rajonit, të cilat kanë fituar statusin kandidat dhe kanë hapur negociatat, Kosova qëndron shumë më mirë në kohën e marrjes së këtyre vendimeve.
“Ne jemi demokracia më e avancuar e rajonit, qëndrojmë mirë në të gjithë indikatorët e matjes së sundimit të ligjit, po ashtu edhe në indikatorët e zhvillimit ekonomik, dhe kemi progres të vazhdueshëm në zbatimin e reformave në të gjithë 33 kapitujt e anëtarësimit”- tha ai.
Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më , dhe tani ajo mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat. Vendeve që i janë bashkuar BE-së në vitet 2004, 2007 dhe 2013 – tri zgjerimet e fundit të bllokut europian – u janë dashur nga tetë deri në 14 vjet që nga dorëzimi i aplikimit e deri te anëtarësimi në BE.
Ky proces merr kohë pasi që vendi kandidat duhet t’i përmbushë disa kritere, t’i përshtatë ligjet e veta me ato të BE-së, si dhe të presë ratifikimin e traktatit për anëtarësim në parlamentet e secilit vend anëtar të BE-së. Kriteret për aplikim – të njohura si “Kriteret e Kopenhagës” – kanë të bëjnë me stabilitetin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe funksionalitetin e tregut ekonomik.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor janë vendosur edhe disa kushte shtesë, të përcaktuara përmes Procesit të Stabilizim-Asociimit. Kroacia – vendi i fundit që iu bashkua BE-së, në vitin 2013 – kishte aplikuar për anëtarësim më pak se 1 vit e gjysmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Por, i gjithë procesi deri në anëtarësimin e Kroacisë kishte zgjatur 12 vjet.
Në rastin e Kosovës, është hera e parë që një shtet aplikon për anëtarësim pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Shtetet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës janë Spanja, Rumania, Qipro, Greqia dhe Sllovakia. Kosova kishte arritur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, që u nënshkrua në Strasburg, më .
