Lionel Scaloni do të arrijë një tjetër moment historik në stolin e Argjentinës. Ndeshja e së premtes ndaj Kepit të Gjelbër do të jetë e 100-ta për teknikun që ka ndryshuar historinë e “Albiceleste”. Në 99 ndeshjet e deritanishme, Scaloni ka ndërtuar një bilanc të jashtëzakonshëm: 72 fitore, 18 barazime dhe vetëm 9 humbje.
Mbi të gjitha, ai ka udhëhequr Argjentinën drejt tre trofeve madhorë: Kupës së Botës 2022 dhe dy titujve të Copa América, në vitet 2021 dhe 2024, duke u kthyer në trajnerin më të suksesshëm të epokës moderne të kombëtares. Jubileu i tij vjen në një moment kur Argjentina synon të shkruajë një tjetër faqe historie.
Me Botërorin në vazhdim, ëndrra për të fituar dy Kupa Bote radhazi është më pranë se kurrë, një arritje që në futbollin modern nuk është realizuar nga asnjë kombëtare. Në epokën Scaloni, Lionel Messi dhe Rodrigo De Paul janë futbollistët me më shumë paraqitje si titullarë. Ndërsa Messi mbetet golashënuesi absolut i kësaj periudhe me 59 gola, i ndjekur nga Lautaro Martínez me 38.
Sa i përket së ardhmes, kontrata e Scalonit skadon në fund të këtij viti. Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit, Claudio Tapia, i ka dhënë besim të plotë për të vazhduar në stol për aq kohë sa ai dëshiron. Megjithatë, vetë trajneri ende nuk ka marrë një vendim dhe gjithçka pritet të varet nga rezultati në Botëror.
Ndërkohë, Scaloni po i afrohet edhe rekordit të 124 ndeshjeve në stolin e Argjentinës, që mbahet nga legjenda Guillermo Stábile. Në numrin e ndeshjeve ka ende rrugë për të bërë, por për sa u përket trofeve, Lionel Scaloni e ka lënë tashmë emrin e tij në historinë e futbollit argjentinas.
