Pas një pune dhe angazhimi të madh së bashku me Kryeqytetin Prishtina dhe Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, ICK tashmë ka filluar zhvendosjen në pallatin ikonik në zemër të Prishtinës. Një NEWBORN tjetër edhe për komunitetin dhe misionin e ICK-së. Kjo zhvendosje përfaqëson një fillim të ri, energji të ripërtërirë dhe një platformë të re për të rritur ndikimin e ICK-së.
Prania e ICK-së atje do të mundësojë bashkimin nën një çati të sipërmarrësve, bizneseve startup, studentëve, sektorit privat, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit më të gjerë të inovacionit.
Kalimi në këtë hapësirë nënkupton që kryeqendra e inovacionit do të ketë një shtëpi më të madhe dhe më aktive për të zgjeruar programet e saj, për të mirëpritur më shumë njerëz dhe për të thelluar ndikimin në mbarë qytetin dhe Kosovën. Është një hapësirë që pasqyron atë që ICK përfaqëson: lidhjen, krijimtarinë dhe mundësitë për gjeneratën e ardhshme.
Kjo shtëpi e re do t’i mundësojë ICK-së të zgjerojë programet e saj dhe të mirëpresë më shumë sipërmarrës e inovatorë; të krijojë një hapësirë më të lidhur për komunitetin; të forcojë bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës dhe institucionet tjera; si dhe të hapë dyer të reja për bashkëpunim, ngjarje dhe rritje të komunitetit.
Ndërsa ICK përgatitet për këtë tranzicion, organizata reflekton edhe mbi rrugëtimin e jashtëzakonshëm që e solli deri këtu. Besimi, partneriteti dhe mbështetja e vazhdueshme e komunitetit kanë luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e ICK-së drejt organizatës që është sot.
Sapo të vendoset plotësisht, ICK njofton se do t’i ftojë partnerët, miqtë dhe mbështetësit në shtëpinë e re, për t’i njohur nga afër me hapësirat dhe për ta shënuar së bashku këtë arritje të madhe. ICK falënderon të gjithë ata që kanë qenë pjesë e historisë së saj dhe shprehet entuziaste për kapitullin e radhës që do ta ndërtojë së bashku me komunitetin.
