Këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira ka folur hapur për herë të parë mbi frikën që ndiente në fillimet e karrierës për të zbuluar publikisht origjinën e saj, duke pranuar se kishte frikë se kjo mund t’i mbyllte dyert në industrinë e muzikës në Greqi. Foureira tregoi se ishte rritur me bindjen se origjina e saj shqiptare mund ta pengonte të kishte të njëjtat mundësi si të tjerët.
“ Kur rritesh, kjo frikë të futet brenda. Mendoja se nëse thosha se jam nga Shqipëria, nuk do të më jepeshin mundësi të barabarta. Ky ishte realiteti që përjetoja” , u shpreh ajo. Këngëtarja kujtoi edhe momentet e vështira që përjetonte familja e saj, duke treguar se nëna shpesh qante për komentet dhe paragjykimet që përballej vajza e saj.
“Nëna ime më përqafonte dhe qante duke më thënë: “Vajza ime, çfarë të kanë bërë? Ti nuk ke bërë asgjë ”, rrëfeu Foureira. Ajo shtoi se mbështetja e njerëzve pranë saj e ndihmoi të vazhdonte rrugën në muzikë, derisa publiku e vlerësoi për talentin dhe jo për origjinën. Gjatë intervistës, artistja ndau edhe historinë e njohjes me partnerin e saj, ish-futbollistin Alberto Botía.
Ajo tregoi se e pa për herë të parë rreth dhjetë vite më parë, kur ai, asokohe pjesë e Olympiacosit, kishte shkuar në lokalin ku ajo performonte pas një fitoreje të skuadrës.
