Kryetarja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, ka folur për procedurat dhe bisedimet që pritet të fillojnë për formimin e institucioneve.
Derisa ka thënë se bisedimet zyrtare pritet të fillojnë tek pas certifikimit të rezultateve, Kusari-Lila konsideron se përveç Aleancës, partitë tjera nuk kanë dalë me qëndrim zyrtar të partisë dhe të grupit të deputetëve që kanë. “Për shkak se është situata pak më e komplikuar sesa në zgjedhjet e kaluara, kur sot nga një grupim parlamentar ose nga një subjekt politik ka dy-tri qëndrime.
Kjo po se po e vështirëson shumë edhe do ta vështirësojë konstituimin e institucioneve apo një dakordim në mes të subjektit fitues të zgjedhjeve dhe partive tjera. Prandaj krejt kjo po mbetet të shihet nëse ata do t’i kenë qëndrimet e artikuluara dhe vendimet në raport me partinë më të madhe dhe bashkëpunimin e mundshëm” – tha Kusari Lila më .
E pyetur për emra të kandidatëve potencialë për president, Kusari-Lila ka thënë se nuk mund të flas tani për shkak se është proces që duhet të diskutohet mes partive politike e ka shtuar se është thënë që priten edhe rekomandime tjera. “Zonja Feride Rushiti rekomandim në momentin kur partitë opozitare atëbotë asnjë propozim nuk e kanë dhënë, asnjë emër publikisht nuk kanë folur.
Ndoshta është momenti që me fillu me i trajtu gjërat seriozisht duke filluar prej qëndrimeve zyrtare të subjekteve politike që dakordohen edhe garantojnë për gjithë deputetët, ose numrin e deputetëve.” – tha ajo. Ajo ka shtuar se LDK e PDK nuk kanë pasur propozime konkrete herën e kaluar kur ishin ftuar për të diskutuar për çështjen e presidentit.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë ka komentuar edhe kërkesat e Aleancës për të ndihmuar në konstituimin e institucioneve. “Nëse një parti qet kushte të kësaj natyre, po nuk bëhet pjesë e qeverisë, nuk ka domethënie përmbajtja e saj.
Ndërsa sa i përket në veçanti këtij projekti i cili është politizuar tepër shumë, askujt nuk besoj që i bën nder, as bashkëpunimit apo raporteve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëse projektet strategjike apo resorte të rëndësisë që është energjia shfrytëzohen për beteja të brendshme politike” – tha Kusari Lila.
Ajo konsideron se duhet të ketë diskutim dhe debat përmbajtjesor sa i përket projekteve si gazi amerikan por jo debat me akuza e kundërakuza për një projekt për të cilin ka thënë se i tejkalon mandatet e të gjitha qeverive.
“Ne sot kemi resurset apo kapacitetet gjeneruese që janë dekada dekada, ka 60 vite që ke kapacitete gjeneruese, ndërsa sot përdoret për poena politike diskutimi dhe bastardohet komunikimi publik në mes të aktorëve politikë me akuza kush është kundër Amerikës e kush s’e pranon një projekt. Domethënë kjo është tërësisht e gabuar.”- ka shtuar Kusari Lila.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, më ka deklaruar se partia që ai e drejton është e gatshme të ndihmojë në formimin e institucioneve të reja pa kërkuar poste në qeveri, por ka paraqitur një sërë kërkesash programore që, sipas tij, janë në interes të qytetarëve.
Në një konferencë për media, ai tha se ekziston rreziku që Kosova të mbetet për një periudhë të gjatë pa institucione funksionale. “Po krijohet një ndjenjë që Kosova rrezikon me mbetë për një periudhë të gjatë pa institucione. Gjithçka është peng, gjithçka është blloku”- tha ai. Sipas tij, AAK nuk synon pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme dhe nuk ka kushte që lidhen me pozita.
“Nuk kemi kurrfarë kushte vetjake. Nuk synojmë kurrfarë pjesëmarrje në qeverinë e ardhshme. Kemi kërkesa jetike” – u shpreh Gjini.
Ai kërkoi që institucionet e reja të pranojnë menjëherë projektin strategjik të gazsjellësit amerikan, të nisin procedurat për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr dhe të rrisin pragun e TVSH-së nga 30 mijë në 100 mijë euro, me qëllim që, sipas tij, të lehtësohet funksionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjini shtoi se AAK-ja është e gatshme të sigurojë kuorumin për konstituimin e institucioneve, pa vendosur kushte për poste politike. Kryeministri në detyrë e njëherish edhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përsëritur që po presin certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit për të filluar komunikimet me partitë tjera.
“Po e presim certifikimin”- u ka thënë shkurtimisht Kurti mediave më . Më , ai konfirmoi se nuk ka komunikim me partitë tjera sa i përket votimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit të ri. “Porsa të certifikohet rezultati [zgjedhor], fillojmë komunikimet menjëherë”, ka deklaruar shkurt Kurti.
Derisa më herët kishte thënë se synon bashkëpunim vetëm për çështjen e presidentit, gjatë së martës, ai nuk ka komentuar asgjë në lidhje me ndonjë marrëveshje të mundshme. “Ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e konstituimit të institucioneve. Sa më shpejt aq më mirë. Natyrisht, ju e dini, që për çështjen e presidentit, ne nuk mund ta bëjmë vetë këtë…
Në këto rrethana neve na duhet bashkëpunim dhe do të mundohemi që të bashkëpunojmë me opozitën për çështjen e presidentit. Shpresoj që kësaj radhe të ndryshoj qasja e opozitës. Nuk kanë munguar ofertat nga ana jonë as në të kaluarën. Duhet të përfundoj sjellja refuzuese e opozitës”- kishte thënë Kurti më , derisa ende nuk kishte përfunduar procesi i numërimit të votave.
Lutfi Haziri, nënkryetari i LDK-së më në emisionin Pressing në T7, ka thënë se partitë duhet të kenë një marrëveshje në pako. “Kësaj here kemi shkuar në zgjedhje për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit. Kjo kërkon që partitë politike, duke e përfshirë rolin e partisë së parë… duhet të hyjnë në funksion të një bashkëpunimi dhe të arrihet një marrëveshje pako”- ka thënë Haziri.
Në anën tjetër, Ariana Musliu-Shoshi e Partisë Demokratike të Kosovës, më ka konfirmuar për Kallxo.com se në këtë parti ende nuk janë diskutuar hapat përpara. “Nuk është diskutuar fare. Kemi mbajt vetëm një mbledhje të Kryesisë. Në atë mbledhje kemi folur për zgjedhjet e brendshme, por nuk kemi diskutuar se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm sa i përket kësaj çështjeje”- ka thënë ajo.
Nga partia tjetër shqiptare në Kuvend, Aleanca nuk kanë komentuar fare çështjen e konstituimit të institucioneve. Lutfi Haziri më ka thënë se LDK mund të unifikohet nëse ai vet ose kryetari Abdixhiku janë kandidatë për president. “Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi.
Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri për REL. Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.
Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj. “Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.
Zgjedhja e presidentit të ri mbetet një nga sfidat më të mëdha pas përfundimit të procesit zgjedhor. Posa Kuvendi të konstituohet, deputetët e rinj do të kenë 60 ditë afat për ta zgjedhur kreun e vendit. Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe përfundoi më 28 prill, nuk pati kuorum për votim. Ndonëse juridikisht nuk ka një dispozitë të prerë që përcakton se cili proces duhet të ketë përparësi absolute, në një rast të tillë kur Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se 60 ditë është afati për zgjedhjen e presidentes, njohësit e Kushtetutës dhe çështjeve ligjore vlerësojnë se, për shkak të afateve dhe rrezikut nga vakumi institucional, zgjedhja e kryetarit të shtetit duhet të jetë prioriteti kryesor.
Paragrafi numër 182 i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës , specifikon se Kuvendi ka në dispozicion afatin gjashtëdhjetë (60) ditor përpara hyrjes në periudhën tridhjetë (30) ditore të përcaktuar me paragrafit 2 të nenit 86 të Kushtetutës.
Megjithatë, sipas aktgjykimit, në kontekst të rrethanave të rastit, ndërlidhur me afatin e përcaktuar kushtetues të zgjedhjes së Presidentit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional dhe duke iu referuar qëllimit të normave kushtetuese, “Gjykata vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit.” Derisa numërimi i votave të partive politike ka përfunduar, ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare pasi që pritet a do të ketë ankesa në Gjykatën Supreme dhe eventualisht deri në epilogun e rastit.
Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare pritet përfundimi i afatit për ankesa përsëri për t’u certifikuar rezultati pastaj dhe të fillojë afati 30 ditor për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
