Një Francë që frikëson botën

0%

Të shohësh Michael Olise-n në fushë sot do të thotë të shohësh bashkimin mes futbollit modern dhe atij klasik: në trupin dhe mendjen e francezit ndërthuren evolucioni i sulmuesve të krahut të sotëm me elegancën e fantasistëve të dikurshëm. Në një futboll të dominuar nga fiziku, shpejtësia dhe intensiteti, Olise zgjedh klasin dhe inteligjencën si armët e tij kryesore.

Edhe pse në letër luan si sulmues i djathtë, Olise nuk është një ekstrem i zakonshëm. Është pothuajse e pamundur ta krahasosh me lojtarët e tjerë, sepse ai është një fantazist i viteve ’80 i vendosur në trupin e një futbollisti modern të lindur në vitin 2001. Loja e tij është e orientuar drejt efikasitetit: asgjë nuk është thjesht për spektakël, edhe pse spektakli vjen natyrshëm.

Nuk është një lojtar që mbështetet te sprintet e gjata apo driblimet nga mesi i fushës si Vinicius apo Leao. Lëvizjet e tij janë një “elastik” i vazhdueshëm mes sulmit dhe mesfushës. Kjo e bën veçanërisht të rrezikshëm ndaj ekipeve që mbrohen thellë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vizionin e tij të lojës e tregojnë edhe shifrat mbresëlënëse të sezonit 2025-26 me Bayernin e Mynihut: 31 asistime dhe 28 gola, një ndikim i jashtëzakonshëm në fazën ofensive. Pasimet e tij të thella kanë një saktësi kirurgjikale, ndërsa koha e ekzekutimit duket sikur “vjedh sekonda” ndaj mbrojtjes kundërshtare. Një moment shpërqendrimi mjafton dhe topi përfundon në rrjetë.

Olise nuk është vetëm asistues: është edhe finalizues i nivelit të lartë. Goditja me të majtën me efekt nga distanca është një nga armët e tij më të rrezikshme, shumë pranë stilit të Arjen Robben-it, i cili e bënte të gjithë botën të dinte çfarë do të ndodhte, por pa mundur ta ndalonte. Zemra taktike e Francës Te Franca, Olise është kthyer në lojtarin më të rëndësishëm në aspektin taktik.

Pozicioni i tij ndryshon vazhdimisht: herë në krahun e djathtë, herë në qendër si mesfushor ofensiv, herë duke u futur mes linjave për të krijuar pasime vertikale. Kjo lëvizshmëri ka prishur ekuilibrat e mbrojtjeve kundërshtare dhe ka detyruar shokët e skuadrës të përshtaten me ritmin e tij.

Edhe lojtarë si Mbappé dhe Dembélé i janë përshtatur plotësisht, duke e pranuar si boshtin teknik të skuadrës. Në ndeshjen ndaj Suedisë, Franca dominoi plotësisht dhe një pjesë e lojës u kthye pothuajse në “mision për ta bërë Olise-n të shënojë”.

Ai vetë humbi disa raste të pastra dhe madje goditi shtyllën me një roveshatë spektakolare, por ndeshja u karakterizua nga një besim i jashtëzakonshëm i gjithë skuadrës ndaj tij. Franca e sotme, me disa prej lojtarëve më të mirë në botë, po shfaq një nivel harmonie dhe vetëbesimi të rrallë.

Dhe në qendër të këtij sistemi qëndron Michael Olise, një “fantazist modern” që po rikthen elegancën dhe kreativitetin në futbollin elitar. Nëse kjo Francë vazhdon në këtë rrugë, me Olise-n si dirigjent, atëherë rivalët kanë arsye të forta për alarm.

Burimi: Bota Sot