Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm pranë Zyrës së Kryeministrit ka prezantuar Raportin e Përgjithshëm Vjetor mbi Inspektimet për vitin 2025, dokument ky që zbardh performancën, numrin e kontrolleve dhe kapacitetet njerëzore të trupave inspektuese në Kosovë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se numri total i inspektorëve në nivel qendror arrin në 395 sipas listës së përgjithshme, të cilët përgjatë vitit kanë realizuar mbi 116 mijë inspektime në tërësi. Në këtë ngjarje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se shtyllë kryesore e reformës është një qasje e re, e bazuar në nivelet e rrezikut që vijnë nga subjektet e inspektimit.
Sipas tij, një biznes që merret me aktivitete të rrezikshme ose që prek një numër të madh konsumatorësh duhet të inspektohet më shpesh, ndërsa ndaj shkelësve të përsëritur që rrezikojnë jetën apo shëndetin e punëtorëve do të përdoren të gjitha mjetet ligjore, përfshirë gjobat dhe kallëzimet penale.
Kurti tha se për shembull, një biznes i cili merret me aktivitete të rrezikshme ose që ka një ndikim te një numër më i madh i konsumatorëve, parimisht duhet të inspektohet më shpesh sesa bizneset e tjera.
“Po ashtu, ndaj atyre subjekteve të cilat kanë një histori të shkeljeve të rënda të rregullave ligjore, të cilat rrezikojnë në mënyrë të përsëritur jetën ose shëndetin e punëtorëve dhe konsumatorëve, inspektoratet tona duhet të jenë sa më të rrepta edhe pa kompromis” – tha Kurti më .
Në anën tjetër, Kurti shtoi se pjesa dërmuese e bizneseve në vend nuk janë shkelës flagrantë, andaj për këtë shumicë reforma kërkon një qasje bashkëpunuese për të ulur barrën administrative. Sipas tij, përmes listave të kontrollit të publikuara nga secili inspektorat, bizneset do të kenë mundësi të dinë saktësisht kriteret ligjore në bazë të të cilave do të inspektohen ato.
“Përmes inspektimeve të përbashkëta ku dy apo më shumë inspektorate e kryejnë punën e tyre me një vizitë të vetme, do të reduktohen koha dhe burimet që bizneset duhet të harxhojnë gjatë vizitave të inspektorëve”- tha Kurti. Ndërkaq, Inspektorja e Përgjithshme, Lyra Osmani-Ahmeti, tha se gjatë vitit 2025 është shënuar progres në zbatimin e reformës së sistemit inspektues.
Sipas saj, raporti paraqet jo vetëm rezultatet e punës së Zyrës së Inspektorit të Përgjithshëm dhe të organeve inspektuese, por edhe dëshmi konkrete të transformimit gradual të sistemit tonë inspektues në një sistem më modern, më transparent, më profesional dhe më efektiv.
Osmani-Ahmeti theksoi se është avancuar riorganizimi i trupave inspektues, unifikimi i procedurave dhe zbatimi i metodologjisë së inspektimeve të bazuara në vlerësimin e rrezikut.
Kurse, menaxherja e Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand, tha se mënyra se si funksionojnë inspektimet ndikon drejtpërdrejt në klimën e të bërit biznes dhe në tërheqjen e investimeve.
Megavand tha se kur inspektimi kryhet gabimisht, mund të krijojë burokraci të panevojshme dhe një perceptim të mungesës së parashikueshmërisë, gjë që do të dekurajojë investimet dhe do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike.
“Pyetja nuk është nëse inspektimet janë të rëndësishme, por se si mund të bëhen ato në mënyrë që të krijojnë mjedisin më të mirë dhe më mundësues për rritjen e sektorit privat, pa e mbingarkuar atë me masa administrative”- shtoi ajo.
Sipas të dhënave në raportin 2025 të ZIP, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) mban numrin më të madh të trupës inspektuese me 81 inspektorë, duke realizuar një numër rekord prej 78,516 inspektimeve, ku 66,511 ishin me njoftim paraprak dhe 5,239 ishin inspektime të përbashkëta.
Megjithatë, përkundër këtij vëllimi, AUV ka realizuar vetëm 73% të planit vjetor të inspektimeve të bazuar në rrezik. Për dallim nga AUV, sipas raportit të ZIP-it, efikasitet prej 100% në realizimin e planit kanë treguar Inspektorati Qendror i Punës, i cili numëron 67 inspektorë dhe ka kryer 10,812 inspektime totale, si dhe Inspektorati Sanitar me 53 inspektorë që ka kryer 8,221 inspektime.
Gjetjet e raportit thonë se performancë të plotë prej 100% kanë shënuar edhe Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut me 26 deri në 31 inspektorë (5,924 inspektime); Inspektorati Farmaceutik me 23 deri në 24 inspektorë (2,222 inspektime); ai Qendror i Shëndetësisë me 32 inspektorë (2,001 inspektime); Inspektorati i Arsimit me 26 inspektorë (881 inspektime); ai i Transportit me 14 inspektorë (1,723 inspektime); si dhe Inspektorati për Pylltari dhe Gjueti me 12 inspektorë (430 inspektime) e Departamenti i Inspektimit të Fondkrijuesve dhe Fondposeduesve me 6 inspektorë (120 inspektime).
Infrastruktura e njësive të tjera specifike tregon se ato funksionojnë me kapacitete minimale njerëzore dhe shënojnë ngecje në përmbushjen e planit. Njësia e inspektimit për mbrojtje nga rrezatimi dhe siguri bërthamore ka në terren vetëm një inspektor, i cili ka kryer 80 inspektime duke realizuar 90% të planit vjetor.
Njësia e inspektimit të energjisë, sipas raportit numëron vetëm 2 inspektorë dhe ka realizuar 73% të planit me 33 inspektime në total, ndërsa Inspektorati për Trashëgimi Kulturore me 3 deri në 4 inspektorë ka shënuar realizimin më të ulët me vetëm 47% të planit përmes 72 inspektimeve të kryera.
Ngecje të theksuar ka shënuar edhe Inspektorati i Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtimit, i cili ndonëse ka 26 inspektorë, ka përmbushur vetëm 57% të planit vjetor me 619 inspektime të realizuara.
Për sa i përket trajtimit të ankesave të pranuara nga palët e treta, Inspektorati i Punës prin me 521 raste, i ndjekur nga AUV me 488, Inspektorati Sanitar me 388 dhe ai i Arsimit me 335 inspektime mbi këtë bazë. Ndërkaq njësia e inspektimit të mbrojtjes nga zjarri që ka 18 deri inspektorë ka kryer 127 inspektime.
Kurse, Inspektoriati i mbrojtjes nga rrezatimi dhe siguri bërthamore, ai energjisë dhe departamenti i fondkrijuesve nuk kanë regjistruar asnjë inspektim të iniciuar nga ankesat.
