BE: Kosovës i duhen institucione funksionale për të përshpejtuar

0%

Shpërndaje në: Bashkimi Evropian ka theksuar se Kosovës i nevojiten institucione plotësisht funksionale për të përshpejtuar zbatimin e reformave dhe avancimin në procesin e integrimit evropian.

Ky ishte një nga mesazhet kryesore të takimit të 7-të të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, i mbajtur në Prishtinë, ku u shqyrtuan zhvillimet politike, ekonomike dhe zbatimi i obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrisë të mërkurën, takimi u hap nga kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, dhe drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Valentina Superti, ndërsa u bashkëkryesua nga sekretari i përgjithshëm i Zyrës së Kryeministrit, Arben Krasniqi, dhe shefi i Njësisë për Kosovën në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore, Jiri Plecity.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

BE-ja, siç thotë njoftimi, vlerësoi progresin e arritur në disa fusha, përfshirë konkurrueshmërinë, politikat sociale dhe të punësimit, transformimin digjital, tatimet, politikat ekonomike dhe monetare, arsimin, kulturën dhe doganat.

“Megjithatë, ajo kërkoi përshpejtimin e reformave që mbeten pezull, veçanërisht në administratën publike, sundimin e ligjit, lirinë e shprehjes dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e komuniteteve joshumicë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, BE-ja nënvizoi se e ardhmja evropiane e Kosovës kërkon një angazhim të të gjithë shoqërisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet partive politike, konsultimit me shoqërinë civile dhe përfshirjes së pushtetit lokal në avancimin e agjendës evropiane.

E Qeveria e Kosovës rikonfirmoi përkushtimin për zbatimin e reformave dhe të obligimeve që dalin nga MSA-ja, si dhe për shfrytëzimin e mundësive që ofron Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

“Në përfundim të takimit, të dyja palët u pajtuan të vazhdojnë bashkëpunimin për zbatimin e reformave dhe avancimin e aspiratave evropiane të Kosovës.

Bashkimi Evropian rikujtoi se mbetet partneri më i madh dhe më i besueshëm i Kosovës, duke theksuar se që nga viti 1999 ka investuar mbi 3.7 miliardë euro në vend dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, përfundon njoftimi.

Burimi: Koha