Nga: Ragnar Almqvist Shpërndaje në: Op Ed nga Ragnar Almqvist, ambasador jorezident i Irlandës në Kosovë Futbolli, loja e bukur, mund të jetë edhe mizor. Pas fushatave heroike, Irlanda dhe Kosova iu afruan me shumë mund kualifikimit për në Kampionatin Botëror, por mbetën fare pranë arritjes së këtij synimi.
Megjithatë, të paktën këtë vjeshtë mund të presim me padurim që ekipet dhe tifozët tanë – ndër më të gjallët dhe më të veçantët në botë – të takohen për herë të parë në Ligën e Kombeve. Pavarësisht rezultatit, kjo do të forcojë miqësinë mes dy kombeve që, përgjatë historisë, kanë përjetuar më shumë sesa humbjet, por që gjithmonë janë ngritur më të forta.
Para kësaj, Irlanda ka një tjetër objektiv. Më 1 korrik marrim për herë të tetë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Motoja e Presidencës sonë është një proverb i vjetër irlandez – “Ní neart go cur le chéile”, që do të thotë “Në unitet qëndron forca”.
Synimi ynë, në një kohë trazirash gjeopolitike, është të riafirmojmë asetin më të madh të BE-së – unitetin tonë – dhe t’u japim një shtysë të re përpjekjeve për të ofruar rezultate konkrete për qytetarët tanë. Gjatë mandatit tonë gjashtëmujor, duke punuar me Komisionin Evropian, Parlamentin Evropian dhe partnerë të tjerë, do të përpiqemi të avancojmë tri prioritete të ndërlidhura.
Duam të përshpejtojmë punën për rikthimin e konkurrueshmërisë së BE-së dhe rigjallërimin e ekonomive tona. Duam të forcojmë sigurinë tonë kolektive. Dhe duam të riafirmojmë vlerat që qëndrojnë në zemër të BE-së – demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Ambicia jonë është e madhe. Por ky artikull është i shkurtër.
Programi ynë në www.Ireland2026.EU paraqet në detaje politikat që do të avancojmë për të realizuar këtë agjendë. Këtu, dua të ndalem tek ajo që ka më shumë rëndësi për Kosovën. Si dy kombe të vogla, pavarësia e të cilave është fituar me shumë sakrifica, Irlanda dhe Kosova kanë ndarë prej kohësh një ndjenjë afërsie.
Kemi shumë të përbashkëta – diaspora të mëdha, kultura të pasura dhe mbështetjen më të lartë publike në Evropë për Bashkimin Evropian. Si popuj, ndajmë bindjen se, edhe pse kohët ndryshojnë, vlerat tona themelore nuk mund të ndryshojnë. Kjo është arsyeja pse Irlanda ka qenë kaq e palëkundur në mbështetjen për Ukrainën – një prioritet kyç i Presidencës sonë.
Dhe po ashtu pse Irlanda, e cila iu bashkua BE-së në zgjerimin e saj të parë para gjysmë shekulli, mbetet sot ndër mbështetëset më të fuqishme të zgjerimit. Ne e dimë se ku qëndrojnë bindjet e Kosovës. Bulevardi “Nënë Tereza” në Prishtinë kufizohet nga dy pankarta në ngjyrë blu dhe të verdhë.
Njëra shpreh mbështetjen e Kosovës për Ukrainën – të cilën ne e vlerësojmë shumë – ndërsa tjetra përcjell mesazhin se Bashkimi Evropian është “në anën tuaj”. Irlanda ishte ndër shtetet e para të BE-së që njohu pavarësinë e Kosovës. Që atëherë, sado larg të jemi gjeografikisht, kemi qenë në anën tuaj, duke mbështetur Kosovën në afirmimin e vendit të saj në Evropë dhe në botë.
Forcat tona të Mbrojtjes kanë shërbyer në KFOR për më shumë se një çerek shekulli, duke promovuar paqen dhe stabilitetin. Ekspertët irlandezë në kuadër të BE-së në Kosovë, EULEX-it, Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe organizatave të tjera mbështesin institucionet tuaja në forcimin e të drejtave dhe sundimit të ligjit.
Së fundmi, me iniciativën e Qeverisë sonë, kemi krijuar partneritete të reja arsimore, shkëmbime kulturore dhe programe trajnimi profesional.
Sigurisht, Irlanda bën shumë më tepër si pjesë e Bashkimit Evropian – partneri më i fortë dhe më i besueshëm i Kosovës – duke mbështetur me afro 4 miliardë euro grante që nga viti 1999 dhe, përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke ndarë gati 900 milionë euro deri në vitin 2027 për të përshpejtuar integrimin tuaj me partnerët evropianë.
Mund dhe do të bëjmë më shumë edhe në aspektin bilateral. Por në fund të fundit, Irlanda dëshiron të shohë ditën kur ne dhe Bashkimi Evropian të mos jemi vetëm në anën e Kosovës, por kur Kosova – dhe të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor – të jenë me ne brenda Bashkimit Evropian.
Ne e konsiderojmë zgjerimin një vlerë themelore të BE-së, si dhe një investim në paqen, prosperitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë. Presidenca jonë do të punojë me vendet kandidate dhe potencialisht kandidate për të mbështetur rrugën e tyre drejt anëtarësimit, në përputhje me procesin e bazuar në meritë. Siç ka theksuar komisionerja Kos, zgjerimi po përjeton një momentum të ri.
Ne duhet ta kapitalizojmë atë. Presidenca jonë do të fokusohet veçanërisht te Shqipëria dhe Mali i Zi, me shpresën që ky i fundit të mbyllë kapitujt e mbetur këtë vit dhe të bëhet shteti i 28-të anëtar i BE-së në vitin 2028. Por do të mbështesim edhe partnerët e tjerë në rajon dhe do të ndërtojmë mbi progresin historik të arritur nga Ukraina dhe Moldavia.
Asgjë nga kjo nuk do të jetë e lehtë. Për Kosovën, aplikimi i së cilës për statusin e vendit kandidat ende nuk është pranuar nga Këshilli, sfidat janë të qarta. Si presidente e Këshillit, Irlanda do të angazhohet me institucionet e BE-së dhe shtetet anëtare për të avokuar në emrin tuaj. Por në zgjerimin e BE-së nuk ka gola të shënuar pa kundërshtim.
Nëse Kosova dëshiron të ecë përpara, udhëheqësit politikë duhet të bindin të 27 partnerët dhe, duke ndjekur shembullin e futbollistëve tuaj të jashtëzakonshëm, të tregojnë ambicie të vërtetë për të arritur qëllimin. Çfarë do të thotë kjo në praktikë?
Pas tri zgjedhjeve demokratike dhe gjithëpërfshirëse brenda më pak se dy vjetësh, do të thotë të arrihen kompromiset ndërpartiake të nevojshme për stabilitet politik, zgjedhjen e Presidentit dhe zbatimin e Agjendës së Reformave.
Në përputhje me Kushtetutën, do të thotë ripërkushtim ndaj sundimit të ligjit, respektim të vendimeve të gjykatave, ashtu siç futbollistët respektojnë arbitrat, edhe – ndoshta sidomos – kur nuk pajtohen me to.
Do të thotë që ruatja aktive e karakterit multietnik të Kosovës dhe ndërtimi i urave që lidhin komunitetet dhe jo që i ndajnë ato, duke pranuar se ka raste kur delegimi i pushtetit është mënyra më e mirë për ta fuqizuar atë.
Së fundi, do të thotë përmbushje e detyrimeve në kuadër të Dialogut Beograd–Prishtinë dhe zbatim i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, duke pranuar, siç theksoi presidenti Costa muajin e kaluar, se normalizimi është thelbësor për të ardhmen evropiane si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë. Kompromisi është i vështirë. Por shpërblimet mund të jenë të mëdha. Ne e dimë këtë në Irlandë.
Sigurimi i paqes në Irlandën e Veriut, pas dekadash konflikti të ashpër, kërkoi durim të jashtëzakonshëm dhe kompromis edhe më të madh nga qeveritë britanike dhe irlandeze, por mbi të gjitha nga liderët lokalë dhe komunitetet që ata përfaqësonin. Gati tri dekada pas Marrëveshjes së së Premtes së Mirë, procesi mbetet ende në zhvillim.
Megjithatë, duke qenë të kujdesshëm në barazimin e dy konteksteve të ndryshme, nëse mund të nxirret një mësim nga kjo përvojë, ai është se me durim, këmbëngulje dhe guxim për të qenë krijues, dialogu mund të japë rezultate. Shpresojmë që qeveria e re, sapo të konstituohet, ta njohë këtë. Gjatë vizitës në vendlindjen e paraardhësve të tij në vitin 1963, presidenti John F.
Kennedy e quajti Irlandën “e para ndër kombet e vogla”. Ne e shohim Kosovën si pjesë të po atij klubi. Për kombe si tonat, nuk ka rrugë të lehta – as për kualifikim në Kampionatin Botëror dhe as për njohje ndërkombëtare. Por, siç kanë treguar futbollistët tanë – dhe shumë të tjerë në këtë Kampionat Botëror – kombet e vogla mund të arrijnë gjëra të mëdha.
Brenda dhe jashtë fushës, shpresoj të shoh Kosovën dhe Irlandën të përparojnë e të lulëzojnë në muajt që vijnë.
