Kylian Mbappe vazhdon të shkruajë historinë e futbollit botëror. Sulmuesi francez realizoi dy gola në fitoren 3-0 ndaj Suedisë dhe vendosi rekorde të reja në Kupën e Botës. Me golin e tij të parë në këtë ndeshje, Mbappe arriti në kuotën e nëntë golave në fazat eliminatore të Kupës së Botës, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e ndeshjeve me eliminim direkt.
Deri tani, francezi e ndante këtë rekord me dy legjendat braziliane, Leonidas dhe Ronaldo Nazario, të cilët kishin realizuar nga tetë gola secili. Megjithatë, Mbappe nuk u ndal me kaq dhe me golin e dytë e çoi shifrën në 10 gola në fazat eliminatore.
Dy golat ndaj Suedisë e ngjitën gjithashtu sulmuesin francez në vendin e dytë të listës së golashënuesve më të mirë në historinë e Kupës së Botës. Mbappe tani numëron 18 gola në turneun më të madh të futbollit, duke lënë pas legjendën gjermane, Miroslav Klose. Vetëm Lionel Messi mbetet para tij.
Kapiteni i Argjentinës ka qenë në formë të jashtëzakonshme në Kupën e Botës 2026, duke realizuar një “hat-trick” ndaj Algjerisë, dy gola kundër Austrisë dhe një tjetër ndaj Jordanisë në fazën e grupeve. Messi kryeson aktualisht renditjen me 19 gola, por me formën që po kalon Mbappe, duket se rekordi i argjentinasit është seriozisht i rrezikuar.
