Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Aktori 66-vjeçar Kevin Spacey ka deklaruar se ndihet gjithnjë e më i mirëpritur në Hollywood, pasi u shpall i pafajshëm në proceset gjyqësore me juri në SHBA dhe Britani lidhur me akuzat për shkelje seksuale. Në podcastin “Club Random”, ai ka thënë se beson se karriera e tij po rikthehet në rrugën e duhur.
“Ndjehem shumë më i mirëpritur dhe mendoj se gjërat po shkojnë në drejtimin që shpresonim. Ne kemi fituar në çdo gjykatë ku kemi dalë para një jurie”, u shpreh Spacey, ka shkruar FemaleFirst. Ai ka folur edhe për padinë civile të ngritur nga aktori Anthony Rapp, i cili në vitin 2017 e akuzoi se e kishte sulmuar seksualisht kur ishte adoleshent.
Më vonë, Rapp kërkoi 40 milionë dollarë dëmshpërblim, por juria federale në New York ka vendosur se Spacey nuk mbante përgjegjësi. “Ka raste kur një pjesë e historisë është e vërtetë, por më pas riformulohet, ndryshohet ose edhe sajohet plotësisht. Kjo ndodhi edhe në rastin e Anthony Rapp, të cilin e fituam në gjykatën federale në New York”, ka thënë ai.
Megjithatë, Spacey ka pranuar se në të kaluarën kishte tejkaluar kufijtë në sjelljen e tij. “Asnjëherë nuk kam thënë se nuk kishte fare problem. Thjesht nuk ishte një zjarr i madh, por një zjarr i vogël në kuzhinë që mund të ishte shuar me një fikëse zjarri. Kam flirtuar me shumë burra”, u shpreh aktori.
Në një intervistë të mëparshme për “Piers Morgan Uncensored”, ai kishte pranuar gjithashtu se kishte qenë “tepër i lirë” me disa njerëz. “Isha duke i shtyrë kufijtë. I prekja njerëzit në mënyrë seksuale pa e kuptuar në atë moment se ata nuk e dëshironin këtë”, ka thënë Spacey. Kur u pyet nëse kjo përbënte ngacmim fizik, ai u përgjigj shkurt: “Po”.
