Shpërndaje në: Një fosil që kishte qëndruar për dekada të tëra në një sirtar koleksioni është identifikuar si mbetja e parë e një dinozauri e zbuluar ndonjëherë në Antarktidë. Fosili u gjet në vitin 1985 nga një ekspeditë e “British Antarctic Survey (BAS)”, por fillimisht u vlerësua se i përkiste një zvarraniku të madh, thuhet në një njoftim të Muzeut të Historisë Natyrore në Londër.
Pas disa dekadash në depo, fosili u vu re nga Mark Evans, paleontolog dhe përgjegjës i koleksioneve gjeologjike në BAS, shkroi CNN. Fosili i përkiste një Titanosauri, një grup dinozaurësh barngrënës me qafë të gjatë, të njohur si sauropodë, ku bëjnë pjesë edhe dinozaurët më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë në Tokë.
Fosili i gjetur është një rruazë e shtyllës kurrizore me diametër rreth 10 centimetra, e cila i përkiste një individi të ri ose një të rrituri me përmasa më të vogla, që besohet të ketë qenë 6 deri në 7 metra i gjatë, sipas njoftimit. Dinozauri të cilit i përkiste ky fosil jetoi rreth 82 milionë vjet më parë.
