Në vend të zgjedhjes së Përfaqësuesit të ri të Lartë, Bosnje dhe Hercegovina ka një ushtrues detyre të Përfaqësuesit të Lartë. Louis Crishock, ish-zëvendës i Christian Schmidtit, është emëruar u.d i Përfaqësuesit të Lartë derisa të zgjidhet një pasardhës i ri i Schmidtit në këtë post.
Kështu u tha pas takimit të Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) që u mbajt në Sarajevë më 30 qershor. Bordi u zotua se do të arrijë një marrëveshje për Përfaqësuesin e ri të Lartë “sa më shpejt që të jetë e mundur”, me synimin që kjo të arrihet jo më vonë se më 14 korrik.
“Bordi Drejtues i PIC-ut thekson se ushtruesi i detyrës të Përfaqësuesit të Lartë do të sigurojë plotësisht vazhdimësinë institucionale të funksionit, sigurinë juridike për të gjitha vendimet e marra nga përfaqësuesit e mëparshëm të lartë dhe do të veprojë nën udhëzimin politik të PIC-ut”, thuhet në njoftimin e OHR-it.
Crishock zyrtarisht do ta marrë detyrën më 1 korrik, kur dorëheqja e Schmidtit, që e dha në maj, hyn në fuqi. Crishock është zyrtar i lartë në Shërbimin e Huaj amerikan dhe ka shërbyer si zëvendëspërfaqësues i Lartë që nga viti 2024. Ai po ashtu është mbikëqyrës ndërkombëtar i qarkut të Bërçkos, njësisë së veçantë administrative në Bosnje dhe Hercegovinë.
Bordi Drejtues i PIC-ut u mblodh për herë të dytë në qershor në përpjekje për të zgjedhur një Përfaqësues të ri të Lartë, por pa sukses. Në mbledhjen e parë, të mbajtur më 3 dhe 4 qershor , shtetet anëtare nuk arritën të pajtoheshin për pasardhësin e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt, i cili ka njoftuar për largimin nga kjo detyrë pas pak më shumë se pesë vjetësh mandat.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara mbështesin diplomatin italian Antonio Zanardi Landi – i cili ka edhe mbështetjen e vendit të tij – shtetet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në PIC kanë propozuar për këtë post diplomatin francez, Rene Trocaz.
Javën e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se Uashingtoni pret që Përfaqësuesi i ri i Lartë në Bosnje e Hercegovinë të marrë detyrën deri në fund të qershorit. A mund ta drejtojë Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë një ushtrues detyre?
Ambasadori i Bosnjë e Hercegovinës në Serbi, Aleksandar Vranjesh, ishte ndër të parët që ngriti publikisht mundësinë se Crishock mund të jetë një zgjidhje e përkohshme, derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare për emrin e Përfaqësuesit të Lartë.
Herën e fundit – dhe deri më tani të vetmen – kur Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) pati një ushtrues detyre në krye ishte në fillim të vitit 2009, kur diplomati amerikan Raffi Gregorian, atëherë zëvendëspërfaqësues i Lartë, ushtroi përkohësisht drejtimin e këtij institucioni.
Në atë kohë, Mirosllav Lajçak dha dorëheqje nga posti i Përfaqësuesit të Lartë, pasi mori detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme të Sllovakisë. Gjatë shkurtit dhe marsit të atij viti, deri sa Valentin Inzko mori zyrtarisht detyrën e Përfaqësuesit të Lartë, këtë funksion e ushtroi Gregorian.
Megjithëse pozita e “ushtruesit të detyrës të Përfaqësuesit të Lartë” nuk ekziston zyrtarisht në asnjë dokument zyrtar, rasti i Gregorianit tregon se ajo mund të shërbejë si një zgjidhje praktike gjatë periudhës së tranzicionit.
Qëndrimi i BE-së dhe non-paper-i italian Deri në publikimin e këtij lajmi, ambasadat e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë nuk u përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se çfarë të ardhme presin që të ketë Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) dhe çfarë përgjegjësish do të ketë kjo zyrë në të ardhmen.
Bashkimi Evropian, ndërkaq, u përgjigj në një kërkesë të bërë më parë nga REL-i, duke thënë se ende po punojnë për të zgjedhur Përfaqësuesin e ri të Lartë, i cili do të përfaqësojë “unitet dhe konsensus”.
Nga Brukseli thanë se kandidati duhet të jetë nga BE-ja, dhe se blloku është i përkushtuar për “stabilitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës” si dhe për perspektivën evropiane si “një shtet i vetëm, i bashkuar dhe sovran”.
Në prag të një përpjekjeje të re për arritjen e një marrëveshjeje, Italia u dërgoi partnerëve të saj në PIC një non-paper, i cili tregon se si Roma e sheh të ardhmen e OHR-it.
Dokumenti, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, rendit kualifikimet e diplomatit Antonio Zanardi Landi për këtë post, por gjithashtu paralajmëron një zvogëlim gradual të rolit të OHR-it, duke i lënë kompetencat e Bonit si një “mjet të fundit”, kur të jenë shteruar të gjitha opsionet e tjera.
Në dokument thuhet gjithashtu se Përfaqësuesi i ri i Lartë nuk do t’i shfuqizojë vendimet e paraardhësit të tij. Po ashtu, aty theksohet se të gjitha vendimet do të merren në konsultim me Bordin Drejtues të PIC-ut dhe se mandati i Landit, sipas non-paper-it, është i kufizuar në dy vjet, me mundësi zgjatjeje edhe për dy vjet të tjerë.
Mandati i tij nuk lidhet me kohëzgjatjen e mandatit të OHR-it, i cili, sipas dokumentit, vazhdon të varet nga përmbushja e programit 5+2. Kush janë kandidatët e mundshëm për Përfaqësues të Lartë ? Aktualisht, dy kandidatët kryesorë janë Landi dhe Trokazi. Landi është 76-vjeçar dhe është diplomat karriere. Ai ka shërbyer si ambasador i Italisë në Rusi, Vatikan, Serbi dhe Mal të Zi.
Aktualisht, ai shërben si ambasador i Maltës në Selinë e Shenjtë. Gjatë karrierës së tij diplomatike, pothuajse 50-vjeçare, ai ka punuar edhe në ambasadat në Otavë, Teheran dhe Londër. Trokazi, ndërkaq është 67-vjeçar, dhe aktualisht shërben si i dërguar i posaçëm i Qeverisë franceze për Ballkanin Perëndimor.
Që nga viti 1988 ai ka punuar në administratën franceze në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Veç tjerash, në dhjetë vjetët e fundit ai ishte ambasador në Qipro dhe konsull i përgjithshëm i Francës në Jerusalem. Çfarë është PIC-u dhe cili është roli i OHR-së?
PIC është një trup politik ndërkombëtar i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit, ndërsa Këshilli Drejtues i tij – në të cilin bëjnë pjesë shtetet kyç perëndimore dhe aktorë ndërkombëtarë – është përgjegjës për zgjedhjen e Përfaqësuesit të ri të Lartë.
OHR është themeluar në vitin 1995 përmes Aneksit 10 të Marrëveshjes së Dejtonit, si një mekanizëm kyç për mbikëqyrjen e zbatimit civil të paqes. Që atëherë, këtë funksion e kanë ushtruar tetë Përfaqësues të Lartë, ndërsa Schmidt është i nënti në këtë post.
Përgjatë viteve, Përfaqësuesi i Lartë ka fituar të ashtuquajturat Kompetenca të Bonit, të cilat i mundësojnë marrjen e vendimeve detyruese, përfshirë shpalljen e ligjeve dhe shkarkimin e zyrtarëve. Megjithëse ishte paraparë si një instrument i përkohshëm, OHR ka mbetur deri më sot një faktor kyç i stabilitetit në Bosnje dhe Hercegovinë. / REL
