Sot pata kënaqësinë e veçantë të takohem rastësisht me z. Hysen Demiri, 84-vjeçar, një personalitet i njohur i administratës komunale të Preshevës. Ai ka shërbyer për dekada si ofiqar dhe më pas si udhëheqës i Ofiqarisë në administratën komunale të Preshevës, deri në pensionimin e tij të merituar para 19 vitesh. Z.
Hysen Demiri, të cilin me respekt e kemi thirrur gjithmonë Aga Cenë, ka qenë shembull i përkushtimit profesional, ndershmërisë dhe devotshmërisë në shërbim të qytetarëve. Në bisedën tonë rikthyem kujtime nga periudha të vështira, por edhe krenare, kur shumë veprimtarë punonin me përkushtim për idealet kombëtare, duke u përballur me sakrifica dhe sfida të mëdha.
Krahasuar me atë kohë, sot shpesh krijohet përshtypja se në jetën publike dominon interesi personal, ndërsa në disa raste edhe pasurimi i paligjshëm dhe abuzimi me pasurinë e paranë publike, në dëm të interesit të përgjithshëm. Gjatë bisedës sonë, Aga Cenë më rrëfeu një detaj me rëndësi historike.
Ai kujtoi se në dokumentacionin e Ofiqarisë kishte hasur në raste kur kryetari i atëhershëm i Komunës së Preshevës, Jashar Selimi, kishte korrigjuar përkatësinë kombëtare të qytetarëve nga “turčin” në “šiptar”, duke e vulosur dhe nënshkruar personalisht këtë ndryshim.
Sipas kujtesës së tij, ky ishte një veprim i guximshëm administrativ, i ndërmarrë në një periudhë kur shumë shqiptarë përballeshin me presione të ndryshme për t’u shpërngulur drejt Turqisë. Në këtë kuptim, ai e konsideronte këtë veprim si një kontribut të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve.
Kjo periudhë lidhet me zhvillimet politike të fillimit të viteve 1950 dhe me atë që në historiografi njihet si “Marrëveshja Xhentëlmene” ndërmjet autoriteteve të Jugosllavisë dhe Turqisë për lehtësimin e emigrimit të popullsisë myslimane drejt Turqisë.
Shumë studiues shqiptarë e lidhin këtë politikë edhe me përpjekjet për riaktivizimin e frymës së Konventës Jugosllavo-Turke të vitit 1938, e cila parashihte shpërnguljen masive të shqiptarëve, por që nuk u zbatua për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kontekst historik, veprimi i Jashar Selimit merr një domethënie të veçantë morale dhe kombëtare.
Sipas dëshmive të bashkëkohësve, ai veproi me guxim, duke rrezikuar pozitën e tij personale për të mbrojtur interesat e shqiptarëve të Preshevës. Historia jonë përbëhet jo vetëm nga ngjarjet e mëdha politike, por edhe nga veprimet e njerëzve të zakonshëm që, në çaste vendimtare, treguan përgjegjësi, guxim dhe ndjenjë të lartë kombëtare.
Pikërisht për këtë arsye, kujtimet e njerëzve si Hysen Demiri përbëjnë një burim të çmuar për ndriçimin e së kaluarës sonë dhe meritojnë të dokumentohen me kujdes për brezat që vijnë.
