Përmes një letre të hapur, disa organizata të sektorit të pavarur kulturor i janë drejtuar kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, të shqetësuar, për siç thonë qasjen e Komunës ndaj sektorit të pavarur kulturor dhe proceseve të financimit publik.
Sipas tyre, edhe pse është rritur buxheti i komunës, një politikë publike nuk matet vetëm me shumën e mjeteve të ndara, por me mënyrën se si ato shpërndahen, me cilësinë e proceseve, me profesionalizmin e administrimit dhe me besimin që krijojnë te qytetarët dhe komunitetet.
Duke shtuar se dekada me rradhë kanë kontribuar në zhvillimin e qytetit, këto organizata thonë se kanë marrë përgjigje pa arsyetime të mjaftueshme. Sipas tyre, proceset e ankesave janë trajtuar në mënyrë formale dhe josubstanciale, vlerësimet nuk janë shoqëruar me argumente që do t’i lejonin sektorit të kuptonte logjikën e vendimmarrjes.
“Edhe më shqetësues është fakti se një pjesë e organizatave ende nuk i kanë pranuar mjetet e miratuara nga thirrjet e vitit të kaluar, pa një sqarim të qartë publik për vonesën dhe pa një afat të besueshëm për ekzekutimin e tyre”- thuhet në letër.
Këto organizata kërkojnë që Komuna të publikojë arsyetimet e plota të vlerësimeve për thirrjet publike në kulturë, të sqarojë statusin e pagesave të miratuara nga viti i kaluar dhe afatin kur ato do të ekzekutohen, të rishikojë në mënyrë substanciale ankesat dhe vendimet e kontestuara poashtu të krijojë një grup të përbashkët pune me sektorin e pavarur kulturor për hartimin e një modeli më të drejtë, më transparent dhe afatgjatë të mbështetjes publike për kulturën në Prizren.
“Ne mund të flasim seriozisht dhe të punojmë për iniciativa ambicioze, si kandidimi për Kryeqytet Evropian të Kulturës 2033, zhvillimi i infrastrukturës kulturore, zgjerimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe krijimi i mundësive të reja për artistët dhe qytetarët”- theksohet më tej në letër.
Ndryshe organizatat të cilat iu drejtuan Kryetarit të Prizrenit lidhur me ankesat e lartcekura janë: DokuFest, EC Ma Ndryshe, Fondacioni Lumbardhi, Durmish Asllano, Ansambli Katarina Josipi, Feminae, Florg, Qendra për Barazi dhe Drejtësi.
