Dy incidente të ndara, të dyshuara se lidhen me mosmarrëveshje pronësore, kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në fshatin Reçan të Suharekës, duke kërkuar ndërhyrjen e Policisë së Kosovës. Sipas informacioneve, në rastin e parë babai është përleshur me dy djemtë e tij, ndërsa në një incident tjetër njëri prej djemve është konfliktuar me xhaxhain e tij, gjithashtu për çështje pronësore.
Rastin e ka konfirmuar komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Safet Hoxha, i cili bëri të ditur se tre persona janë ndaluar, ndërsa policia është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Sipas Hoxhës, gjatë konfliktit janë përdorur gota, si pasojë e të cilave disa persona kanë pësuar lëndime trupore.
