Volejbollistja prej më të mirave në Kosovë, Valmira Ramadani, ka ndarë rrugët me kampionen e Kosovës, Fer Volley. Ramadani nuk ka treguar se ku do të jetë destinacioni tjetër. Ajo ka qenë prej figurave kyqe që Fer Volley dominojë kampionatin. “Disa kapituj nuk maten me kohë, por me atë që lë pas. Ky kapitull me Fer VOLLEY ishte shumë më tepër se dy vite.
Ishte punë, sakrificë, besim, emocione, lot, gëzim dhe dashuri për këtë fanellë. Kur filluam këtë rrugëtim, jo të gjithë besuan tek ne. Kishte zëra që dyshuan tek unë, tek ekipi dhe tek ajo që mund të arrinim. Por ne nuk u përgjigjëm me fjalë… u përgjigjëm në fushë. Aty treguam kush ishim, sa shumë punuam dhe sa shumë e meritonim të ishim aty.
Së bashku shkruam histori: 2 herë Kampionë të Kosovës 2 Kupa të Federatës Superkupë të Kosovës 1 Kupë të Pavarësisë Por jo vetëm kaq. Patëm mundësinë të përfaqësojmë Fer Volley edhe në skenën evropiane, duke bërë një paraqitje historike në Challenge Cup, një moment i veçantë për klubin dhe për të gjithë ne.
Të fitojmë setin e parë në historinë e klubit në kompeticionet evropiane ishte një kujtim që do të mbetet gjithmonë pjesë e këtij rrugëtimi. Por ajo që marr me vete nga këtu nuk janë vetëm kupat. Janë njerëzit, sakrificat, mbështetja, emocionet dhe kujtimet që do të mbeten përgjithmonë në zemrën time. Faleminderit Fer Volley. Faleminderit këtij qyteti që u bë shtëpi për mua.
Faleminderit tifozëve, stafit, bashkëlojtareve dhe çdo personi që më qëndroi pranë dhe më ndihmoi të arrij ëndrrat e mia dhe t’i jetoj këto momente. Jam krenare që pata mundësinë ta përfaqësoj këtë fanellë, ta mbroj këtë qytet dhe të bëhem kampione me qytetin tim. Fer Volley do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time.
Historia vazhdon… dhe mentaliteti mbetet i njejtë te luftoj, te besoj dhe te synoj gjithmonë majat. Faleminderit për gjithçka”, k a shkruar Ramadani në profilin e saj në facebook.
