Me fazën me eliminim direkt tashmë në zhvillim, shumë prej emrave më të mëdhenj të futbollit mund të jenë duke luajtur Botërorin e tyre të fundit. Këta janë 10 futbollistët që mund t’i japin lamtumirën skenës më të madhe të futbollit. 1.
Lionel Messi (Argjentinë) – Arritja më e mirë: Kampion (2022) Fakti që Messi nuk u tërhoq nga kombëtarja pasi fitoi Botërorin në vitin 2022 tregon madhështinë e tij. Në moshën 39-vjeçare, ai vazhdon të thyejë rekorde, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës me 19 gola, si dhe ka regjistruar tetë asistime.
Ky është Botërori i tij i gjashtë dhe ndeshja e ardhshme do të jetë e 30-ta në këtë kompeticion. Dy herë fitues i “Topit të Artë” të turneut (2014 dhe 2022), Messi pritet ta mbyllë këtu një karrierë legjendare në Botëror. 2.
Luka Modric (Kroaci) – Arritja më e mirë: Nënkampion (2018) Në moshën 40-vjeçare, Modric vazhdon të mahnitë, duke u bërë lojtari më i vjetër që ka dhënë një asistim në histori të Botërorit. Ai ishte lideri i Kroacisë në finalen historike të vitit 2018 dhe në vendin e tretë në vitin 2022.
Me mbi 200 paraqitje për kombëtaren dhe pesë Botërorë të zhvilluar, trashëgimia e tij është tashmë e garantuar. 3. Cristiano Ronaldo (Portugali) – Arritja më e mirë: Gjysmëfinale (2006) Botërori mbetet trofeu i vetëm madhor që i mungon Ronaldos. Me 231 paraqitje dhe 145 gola për Portugalinë, ai është rekordmen absolut në futbollin ndërkombëtar.
Në Botërorin e gjashtë të karrierës, 41-vjeçari është bërë futbollisti i parë që ka shënuar në gjashtë edicione të Kupës së Botës. Kjo mund të jetë mundësia e tij e fundit për të ngritur trofeun më të madh. 4. Manuel Neuer (Gjermani) – Arritja më e mirë: Kampion (2014) Edhe pse forma e tij së fundmi është luhatur, Neuer mbetet një nga portierët më të mëdhenj në histori.
Kampion bote dhe fitues i “Dorezës së Artë” në vitin 2014, ai po luan Botërorin e pestë. Eliminimi i hershëm i Gjermanisë nuk e zbeh statusin e tij si një legjendë e këtij turneu. 5. Neymar (Brazil) – Arritja më e mirë: Gjysmëfinale (2014) Botërori i vitit 2014 mbetet momenti më emocional i Neymarit, pasi një dëmtim i rëndë ia ndërpreu ëndrrën për ta udhëhequr Brazilin drejt titullit.
Pas shumë problemeve me lëndimet, 34-vjeçari ende beson se mund ta fitojë Kupën e Botës. Ai numëron tetë gola dhe katër asistime në 14 ndeshje të këtij kompeticioni. 6. Kevin De Bruyne (Belgjikë) – Arritja më e mirë: Gjysmëfinale (2018) De Bruyne ishte pjesë e “Gjeneratës së Artë” të Belgjikës, e cila nuk arriti ta fitonte asnjë trofe të madh.
Në Botërorin e katërt, mesfushori 35-vjeçar ka shënuar gola në tre edicione të ndryshme dhe ka regjistruar katër asistime në 16 paraqitje. 7. Virgil Van Dijk (Holandë) – Arritja më e mirë: Çerekfinale (2022) Holanda mungoi në Botërorin e vitit 2018, ndaj Van Dijk ka zhvilluar relativisht pak ndeshje në këtë kompeticion.
Kapiteni holandez e nisi turneun me gol, por aventura e ekipit të tij përfundoi në 1/16 e finales. Në moshën 34-vjeçare, ky mund të ketë qenë Botërori i fundit për të. 8.
Mohamed Salah (Egjipt) – Arritja më e mirë: 1/16 e finales (2026) Salah ishte vendimtar në suksesin historik të Egjiptit, duke ndihmuar skuadrën të siguronte fitoren e parë në Botëror që nga viti 1934. 34-vjeçari ka shënuar tre gola dhe ka dhënë dy asistime në vetëm pesë ndeshje të Kupës së Botës, ndërsa shpreson ta çojë Egjiptin edhe më larg. 9.
Son Heung-min (Koreja e Jugut) – Arritja më e mirë: 1/8 e finales (2022) Son është golashënuesi më i mirë i Koresë së Jugut në historinë e Botërorit, me tre gola në 13 ndeshje. Megjithatë, ky edicion nuk shkoi sipas pritjeve dhe në moshën 33-vjeçare mbetet e paqartë nëse do ta shohim sërish në skenën më të madhe të futbollit. 10.
Sadio Mane (Senegal) – Arritja më e mirë: 1/8 e finales (2022) Mane ka qenë figura kryesore e Senegalit në vitet e fundit dhe kontribuoi në kualifikimin e ekipit në tri Botërorë radhazi. 34-vjeçari shënoi golin e tij të parë në Botëror në vitin 2018, ndërsa një dëmtim e privoi nga pjesëmarrja në edicionin 2022. Ky mund të jetë shansi i fundit për të lënë gjurmë në Kupën e Botës./ Telegrafi
