ZKA: Komuna e Prishtinës i dha 40 mijë euro FFK-së pa thirrje publike

0%

Komuna e Prishtinës ka financuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) me 40 mijë euro për organizimin e projektit “Liga e shkollave të Prishtinës”, pa zhvilluar thirrje publike dhe pa dokumentuar procedurat e kërkuara me rregullore. Kështu ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin për vitin 2025 të kësaj komune.

Sipas auditorit, në prill të vitit 2025, kryetari i Komunës kishte nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi me Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila ka statusin e organizatës joqeveritare (OJQ).

Megjithatë, gjatë auditimit nuk është gjetur dokumentacion që dëshmon se FFK-ja kishte paraqitur kërkesë për financim, se projekti ishte shqyrtuar dhe vlerësuar nga organet përgjegjëse, apo se Komuna kishte zhvilluar një thirrje publike për përzgjedhjen e projektit, siç kërkohet me Rregulloren e Ministrisë së Financave për financimin publik të organizatave joqeveritare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Si rrjedhojë, financimi në vlerë prej 40,000€ ishte realizuar pa dëshmi për përmbushjen e procedurave të kërkuara për financimin publik të OJQ-ve”- thuhet në raportin e ZKA-së.

Auditorët vlerësojnë se kjo ka ndodhur pasi financimi është realizuar përmes një marrëveshjeje bashkëfinancimi, pa u siguruar zbatimi i procedurave dhe dokumentacionit të nevojshëm për ndarjen e fondeve publike për organizatat joqeveritare.

Sipas ZKA-së, financimi i OJQ-ve pa thirrje publike ul transparencën dhe konkurrencën e barabartë, ndërsa rrit rrezikun që fondet publike të ndahen pa një vlerësim të dokumentuar të nevojës, arsyeshmërisë dhe përfitimit për komunën.

Për këtë arsye, auditorët kanë rekomanduar që kryetari i Komunës së Prishtinës të sigurojë që çdo financim i organizatave joqeveritare, përfshirë edhe rastet e bashkëfinancimit, të realizohet vetëm përmes procedurave të përcaktuara në rregullore, duke përfshirë thirrjen publike, vlerësimin nga komisioni përkatës dhe dokumentimin e plotë të procesit.

Menaxhmenti i Komunës së Prishtinës është pajtuar me këtë rekomandim të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Kjo komunë ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori. ZKA jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raport i ZKA-së për komunën ka rezultuar me 25 rekomandime.

Prej tyre, 14 janë rekomandime të përsëritura, 3 pjesërisht të zbatuara, 8 janë rekomandime të reja, ndërsa dy rekomandime janë zgjidhur gjatë procesit të auditimit. Në raportin e auditimit në vitin 2024, Komuna e Prishtinës kishte marrë 27 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .

Burimi: Kallxo