Çdo qytetar madhor do të mund të deklarohet personalisht nëse, pas vdekjes, dëshiron të jetë dhurues i organeve – përmes një deklarate te mjeku i tij amë.
Me këtë zgjidhje, Kuvendi, me 58 vota “pro” dhe 6 “kundër”, miratoi ndryshimet në Ligjin për marrjen dhe transplantimin e pjesëve të trupit të njeriut për qëllime shërimi, duke ndryshuar qasjen ndaj dhurimit të organeve dhe transplantimit në vend.
Zgjidhja e re ligjore parashikon që deklarata të regjistrohet përmes një moduli të veçantë digjital në sistemin “Termini im”, ndërsa qytetarët në çdo moment do të mund ta ndryshojnë ose ta tërheqin vendimin e tyre. Sipas arsyetimit të ndryshimeve, qëllimi është të sigurohet shprehje më e qartë e vullnetit personal, besim më i madh në sistem dhe informim më i mirë për dhurimin e organeve.
Duke e arsyetuar ligjin para deputetëve, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por edhe çështje e solidaritetit njerëzor dhe e shpresës.
“Transplantimi nuk është vetëm një procedurë mjekësore, por është jetë, shpresë dhe mundësi që një njeri, edhe pas vdekjes së tij, të vazhdojë të jetojë përmes jetës së dikujt tjetër”, deklaroi Aliu. Ai theksoi se ndryshimet nuk kufizohen vetëm në rregulla administrative, por përfaqësojnë një mesazh për mënyrën se si po ndërtohet sistemi shëndetësor.
“Ndryshimet që propozojmë nuk janë vetëm juridike dhe administrative, por janë një mesazh se sistemi ynë shëndetësor po ndërtohet mbi dinjitetin e njeriut, solidaritetin dhe respektimin e vullnetit personal”, theksoi Aliu. Përveç mundësisë për deklarim personal, ligji parashikon edhe zgjerimin e rrethit të dhuruesve të mundshëm të gjallë – deri në shkallën e katërt të farefisnisë.
Çdo rast do t’i nënshtrohet vlerësimit nga një Komision Etik, i cili duhet të konfirmojë se vendimi është vullnetar dhe pa rrezik për keqpërdorim apo tregti me organe.
Ministri theksoi gjithashtu se regjistrimi digjital do të ketë edhe një rol më të gjerë shoqëror – shteti më në fund do të ketë një pasqyrë më të qartë për interesimin e qytetarëve për dhurimin e organeve dhe për zonat ku ka nevojë për edukim shtesë dhe ndërtim të besimit.
Në këtë drejtim, Aliu paralajmëroi se do të japë edhe shembull personal, duke thënë se sapo sistemi të fillojë të zbatohet, ai do të jetë i pari që do të regjistrohet si dhurues i organeve. Me miratimin e këtij ligji, dhurimi i organeve fiton një kornizë më të qartë juridike dhe teknike, por vendimi përfundimtar mbetet në dorën e vetë qytetarit.
