Fenerbahce, e cila po vazhdon përgatitjet për sezonin e ri në kampin stërvitor në Topuk Yaylasi, ka marrë një tjetër lajm jo të mirë pasi ka konfirmuar lëndimin e sulmuesit të ri të skuadrës, Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar ndjeu dhimbje muskulore gjatë një seance stërvitore dhe u detyrua të largohej nga fusha me barelë, duke ngritur menjëherë shqetësime në kampin e klubit turk.
Pas ekzaminimeve mjekësore dhe rezonancës magnetike, Fenerbahce bëri të ditur se Muriqi ka pësuar një çarje të pjesshme në muskulin e pjesës së poshtme të këmbës së djathtë. “Vedat Muriqi iu nënshtrua një rezonance magnetike.
Pas vlerësimit nga ekipi ynë mjekësor, u konstatua një çarje e pjesshme në muskulin e pjesës së poshtme të këmbës së djathtë dhe ka nisur procesi i trajtimit dhe rehabilitimit të lojtarit”, thuhej në njoftimin e klubit. Sipas raportimeve “Fanatik”, 32-vjeçari pritet të qëndrojë jashtë fushave për të paktën katër javë.
Kjo do të thotë se Muriqi me shumë gjasa do të humbasë të dy ndeshjet e Fenerbahces në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve ndaj Gornik Zabrzes, duke përbërë një goditje të rëndësishme për planet e klubit në prag të sezonit të ri./ Telegrafi
