Sorensen: Marrëveshja e Ohrit është valide edhe pa nënshkrim;

0%

Statusi i Marrëveshjes së Ohrit dhe e ardhmja e procesit të dialogut kanë nxitur një debat mes ndërmjetësit të Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, dhe ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, Ndërsa pala e BE-së thotë se dokumenti është plotësisht i vlefshëm dhe obligativ edhe pa nënshkrim, pala e Kosovës ka shprehur skepticizëm, duke deklaruar se pa bërthamën e saj – që është njohja de facto – marrëveshja nuk po funksionon në terren.

Ndërmjetësi i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka sqaruar se sipas jurisprudencës së Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), një marrëveshje ndërkombëtare nuk ka nevojë për nënshkrim formal për të qenë e vlefshme. “Dyshimet për këtë mund të lindnin vetëm nëse në dhomë do të ishin vetëm dy palë. Por në dialog jemi tre palë dhe ne (BE) ishim aty kur ajo u arrit.

Ne e kemi mirëpritur atë, dhe Këshilli në konkluzionet e tij të përsëritura i është referuar vazhdimisht kësaj marrëveshjeje”- tha Sorensen gjatë panelit. Sorensen, tregoi se sapo mori detyrën ka kontrolluar statusin ligjor marrëveshjeve të arritura deri më tani mes palëve, duke u konsultuar me ekspertë të lartë ligjorë në Bruksel dhe Nju Jork.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Është shumë e qartë: Marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar. Nuk është tekst traktati — dhe këtu qëndron shpesh konfuzioni — por është një zotim ndërkombëtar…Ne e konsiderojmë këtë një marrëveshje ndërkombëtare të vlefshme që duhet respektuar”- shtoi ai.

Ai pranoi se çështje të mëdha mbeten të pazbatuara, ndonëse shtoi se procesi ka filluar në disa pjesë specifike, siç është rasti me personat e pagjetur. “Ne e konsiderojmë këtë marrëveshje si një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të respektohet.

Tani, fakti që kjo mund të mos jetë saktësisht ashtu siç e kanë parë disa politikanë tregohet edhe nga momenti që zbatimi në fakt ka filluar në disa pjesë – ka pjesë aty, veçanërisht sa i përket personave të pagjetur – por ka gjithashtu edhe çështje të mëdha që mbeten të pazbatuara”- tha ai.

Nga ana tjetër, Glauk Konjufca ka shpjeguar se pala e Kosovës ishte plotësisht e gatshme për ta nënshkruar dokumentin, por refuzimi i Serbisë i detyroi ndërmjetësit të ndryshonin strategji, duke e shndërruar atë në një format që nuk po jep rezultate. “Ne shpresonim se kishim një marrëveshje. Sigurisht që ajo nuk është e nënshkruar.

Kryeministri ynë, Albin Kurti, shprehu qartë vullnetin e tij për ta nënshkruar këtë marrëveshje, por ajo u refuzua nga Serbia. Ky ishte momenti i saktë i kthesës, kur ndërmjetësit menduan se si të përshtateshin me këtë situatë të re”- deklaroi Konjufca.

Sipas tij, dokumenti fillimisht nuk ishte konceptuar në këtë formë, por më vonë u transformua në një lloj “marrëveshje xhentlemenësh” (gentleman’s agreement) — e shkruar, por e panënshkruar. “Ne nuk ishim të lumtur me këtë. Mendonim se duhej të ishte një marrëveshje ndërkombëtare që vendos obligime specifike për t’u përmbushur.

Në fund, ndërmjetësit thjesht e publikuan në faqen zyrtare të Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe thanë: ‘Kjo është marrëveshja dhe duhet ta përmbushni’. Por, për të qenë i sinqertë, kjo nuk po funksionon.” Konjufca vuri gishtin te ajo që Kosova e konsideron si problemin kryesor të këtij procesi.

“Pjesët që përmendi zoti Sorensen janë vetëm disa pika… por nuk janë bërthama e marrëveshjes. Bërthama e saj, ashtu siç e kemi kuptuar të gjithë ne, duhet të emërohet saktë: dhe ky emërim është njohja de facto e Kosovës nga Serbia. Jo njohje ligjore de jure , por një njohje de facto ”- tha ai.

Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011. Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik. Megjithatë, Dialogu Kosovë-Serbi ka çaluar përgjatë viteve të fundit.

Në mars të vitit 2026, u bën tri vite që kur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Marrëveshja me 11 nene, ndër tjera parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut. Megjithatë kjo marrëveshje ende ka mbetur e pazbatuar.

Burimi: Kallxo