Shpërndaje në: Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë si të palejuar padinë e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë, të ushtruar kundër Odës së Avokatëve të Kosovës, me të cilën kërkohej shfuqizimi si i kundërligjshëm i lartësisë së shpenzimeve për regjistrim në Odën e Avokatëve.
Sipas aktvendimit, padia ishte paraqitur më nga Ministria e Drejtësisë, përmes Avokaturës Shtetërore. Gjatë shqyrtimit paraprak, Gjykata Supreme kishte konstatuar se padia nuk ishte e qartë dhe e kuptueshme lidhur me aktin që kontestohej, gjë që e pengonte shqyrtimin e saj në themel. Për këtë arsye, gjykata kishte urdhëruar paditësen që ta korrigjonte dhe plotësonte padinë.
Më , Ministria e Drejtësisë dorëzoi plotësimin dhe precizimin e padisë, duke kërkuar nga Gjykata Supreme që të shfuqizonte si të kundërligjshme lartësinë e shpenzimeve të regjistrimit të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Supreme vlerësoi se çështja nuk hyn në kompetencën lëndore të saj.
Në arsyetim thuhet se akti i kontestuar nuk përbën akt nënligjor normativ, pasi nuk është nxjerrë në bazë të një autorizimi të shprehur me ligj të miratuar nga Kuvendi dhe nuk përmban karakteristikat që ligji i kërkon për një akt të tillë.
Gjykata thekson se paditësja i është referuar dokumentit “Kërkesa për regjistrim në regjistrin e avokatëve”, ku janë të përcaktuara shpenzimet e regjistrimit, por ky dokument, sipas vlerësimit të gjykatës, nuk i plotëson kriteret ligjore për t’u konsideruar akt nënligjor normativ.
Në aktvendim, Gjykata Supreme rikujton se, sipas nenit 10 të Ligjit për Konfliktet Administrative, kompetenca e saj si gjykatë e shkallës së parë dhe të vetme kufizohet vetëm në shqyrtimin e padive për shfuqizimin e akteve nënligjore normative, ndërsa si mjet i jashtëzakonshëm juridik shqyrton revizionet kundër aktgjykimeve të gjykatave të shkallës së dytë.
Sipas gjykatës, padia e Ministrisë së Drejtësisë nuk i takon asnjërës prej këtyre kategorive. Gjykata konstatoi gjithashtu se nuk janë përmbushur kushtet e përgjithshme dhe të veçanta procedurale të përcaktuara me Ligjin për Konfliktet Administrative, përfshirë edhe kompetencën ligjore të Gjykatës Supreme për shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Për pasojë, duke u mbështetur në nenet 38 dhe 59 të këtij ligji, vendosi ta hedhë poshtë padinë si të palejuar. Me këtë aktvendim, Gjykata Supreme nuk është lëshuar në vlerësimin e ligjshmërisë së tarifave të regjistrimit në Odën e Avokatëve të Kosovës, por ka konstatuar se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë nuk mund të shqyrtohet nga kjo gjykatë, për shkak të mungesës së kompetencës lëndore dhe mosplotësimit të kushteve ligjore për procedim.
