ZKA zbulon parregullsi në MPB: Miliona euro shpenzime të keqklasifikuara dhe pagesa për policë pa vijueshmëri në punë

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka dhënë opinion të kualifikuar për pasqyrat financiare të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) për vitin 2025, duke identifikuar një varg shkeljesh dhe parregullsish në menaxhimin e buxhetit, prokurimin publik dhe administrimin e stafit policor.

Sipas raportit, mbi 10 milionë euro shpenzime janë keqklasifikuar në kategori të gabuara, përfshirë regjistrimin e pagave të policëve të fituara përmes vendimeve gjyqësore si investime kapitale, çka sipas auditorëve ka shtrembëruar pasqyrimin real të shpenzimeve të ministrisë.

Auditorët kanë konstatuar gjithashtu mbivlerësim të detyrimeve kontingjente për rreth 2.7 milionë euro, si pasojë e regjistrimeve të pasakta dhe mosazhurnimit të rasteve gjyqësore, duke ndikuar në besueshmërinë e pasqyrave financiare.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një pjesë e gjetjeve lidhet edhe me Policinë e Kosovës, ku raporti evidenton se 19 zyrtarë të suspenduar kanë vazhduar të marrin shtesa në vlerë prej mbi 26 mijë eurosh, ndonëse nuk kanë ushtruar detyrën. Po ashtu, rreth 120 mijë euro janë paguar për punonjës që nuk kanë pasur vijueshmëri në punë, sipas të dhënave të auditimit.

ZKA ka identifikuar edhe probleme në prokurim publik, përfshirë pranimin e automjeteve që nuk përmbushin specifikimet e tenderit, si dhe mungesë të kontrolleve të mjaftueshme gjatë verifikimit të kontratave.

Në aspektin e menaxhimit të personelit, raporti thekson se 391 policë vazhdojnë të ushtrojnë detyra pa gradën përkatëse, ndërsa 58 zyrtarë të suspenduar kanë marrë kompensim prej 50 për qind të pagës edhe pas afatit ligjor.

Në përfundim, ZKA i ka adresuar MPB-së 12 rekomandime, duke kërkuar përmirësim të kontrollit financiar, klasifikimit të shpenzimeve, menaxhimit të stafit dhe respektimit të procedurave të prokurimit publik. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com