Milan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, është parë në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me mbështetësit e Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në disa faqe nacionaliste serbe e shfaqin Radoiçiqin në mesin e pjesëmarrësve në tubimin e organizuar nga SNS-ja.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Autoritetet e Kosovës e kërkojnë Radoiçiqin për një sërë veprash penale, përfshirë terrorizëm dhe cenim të rendit kushtetues, ndërsa ai vazhdon të qëndrojë në Serbi.
Prania e tij në tubimin e presidentit Vuçiq ka nxitur reagime në opinion, duke rikthyer vëmendjen te lidhjet ndërmjet Radoiçiqit dhe strukturave politike në Serbi. Deri më tani, autoritetet serbe nuk kanë reaguar lidhur me raportimet për praninë e tij në këtë tubim.
Kujtojmë se bashkësia ndërkombëtare ka apeluar disa herë që përgjegjësitë e sulmit terrorist në Banjske të Zveçanit të dalin para drejtësisë.
