Historianët kanë qenë tepër të butë në vlerësimin e sundimtarit të famshëm ushtarak, i cili interesohej fare pak për qytetërimin dhe shkatërronte ushtritë me një ritëm të frikshëm. Nga: Rupert Christiansen / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Në kapitullin e parë të kësaj biografie të re, Edmund Richardson bën një pretendim goxha të madh.
Aleksandri [Leka] i Madh, thotë ai, “e riformësoi realitetin më thellë se kushdo tjetër në histori.” Kur arrin në fund të Alexander: God, King, Man [ Aleksandri: Zot, Mbret, Njeri ], pretendimi duket i diskutueshëm. A mund të thuhet se Aleksandri e riformësoi realitetin më thellë se Jul Cezari, Xhingis Khani apo Napoleoni?
A ka qenë ndikimi i tij mbi njerëzimin më i madh se ai i Jezusit apo i Shekspirit? Si, në të vërtetë, do të dukej bota gjeopolitike nëse Aleksandri nuk do të kishte ekzistuar kurrë? Gjatë jetës së tij të shkurtër, 356-323 p.e.s., ai pa dyshim grumbulloi pasuri dhe pushtet të paimagjinueshëm – ndërsa vidhte dhe plaçkiste Greqinë dhe Azinë e Vogël deri në Pakistanin e sotëm.
Fitoret e tij ishin po aq madhështore sa edhe të tmerrshme – vlerësohet se fushatat e tij mund të mbahen drejtpërdrejt përgjegjëse për vdekjen e një përqind të popullsisë së botës në atë kohë. I krahasuar me një kometë dhe i shpallur perëndi, ai u bë legjendë e gjallë – po aq i frikshëm sa edhe i nderuar. Por, ai ishte shumë larg asaj që thuhej për të.
Perandoria e tij e stërmadhe, e farkëtuar brenda pak më shumë se një dekade, po shembej edhe para vdekjes së tij dhe, përveç themelimit të qytetit të Aleksandrisë, ai la pas vetes pak gjë tjetër përveç shkatërrimit. Nga të gjithë satrapët që ai mbështeti në provinca të ndryshme, vetëm Ptolemejt në Egjipt arritën të kishin peshë.
Aleksandri ishte ushtar i patrembur, strateg mendjemprehtë, pushtues fitimtar. Por, trashëgimia e tij nuk ishte trashëgimi qytetërimi – nën sundimin e tij nuk u rrodhën përfitimet e romakëve. Qytetërimi helenistik mund të jetë përhapur nëpër zonat që ai pushtoi, por kjo nuk ishte diçka për të cilën Aleksandrit interesohej. Luftëtarët e Homerit ishin udhërrëfyesi i tij i vetëm moral.
Nuk ndante drejtësi dhe nuk qeveriste me mençuri. Nëse ai “e riformësoi realitetin,” e bëri për keq. Në trajtimin e kësaj figure – heroike në mënyrë rrëqethëse – Richardsoni ndjek gjurmët e shumë studiuesve të shquar, si Peter Green, dhe romancierëve spekulativë, si Mary Renault.
Ai nuk ka ndonjë zbulim të madh apo rivlerësim për të ofruar, por shkruan me një gjallëri plot vrull: në afro 400 faqet e librit nuk ka asnjë fjali të mërzitshme apo pedante akademike.
Aleksandri që ai portretizon nuk është as i pëlqyeshëm as i njohshëm, i karakterizuar nga një personalitet pa asnjë nuancë hijeshie apo ndjeshmërie, përveç shpërthimeve të furishme të zemërimit dhe pikëllimit histerik. Nëse ai kishte një dobësi, ajo ishte prirja e tij për atë që grekët e quanin potos , “një mall i pashuar për të paarritshmen,” që e linte me një uri të pafund për më shumë.
Por, edhe këtë ai e ktheu në avantazhin e vet, duke e bërë forcë të tij shtytëse. Lindi në vitin 356 p.e.s. në qytet-shtetin e vogël të Maqedonisë, në veri të Greqisë, i sunduar nga babai i tij ambicioz dhe militarist, mbreti Filipi II.
Si i ri ishte i paduruar, “i zbehtë dhe i tendosur, që skuqej shpejt në fytyrë,” i bezdisur nga nevoja për të fjetur dhe për të ngrënë, i edukuar nga Aristoteli i cili duket se ia mësoi disiplinën e rendit dhe të analizës.
Që nga adoleshenca, shokët e tij më të afërt ishin kali i tij i madh ngjyrë gështenje, Bukefali, dhe miku i tij dhe “ruajtësi i sekreteve,” Hefestioni, me të cilin marrëdhënia e tij mund të ketë qenë, ose mund të mos ketë qenë, fizikisht erotike.
E vetmja grua që mendohet se depërtoi përtej mburojës së tij emocionale ishte princesha baktriane Roksana, një figurë shumë e romantizuar nga brezat pasardhës, ndonëse pothuajse asgjë nuk dihet me siguri për të. Filipi hodhi themelet për ndërtimin e perandorisë së të birit duke sulmuar Athinën dhe Tebën, duke bashkuar përfundimisht pjesën më të madhe të Greqisë nën sundimin maqedonas.
Pasi Filipi u vra nga një prej truprojave të tij të pakënaqura, Aleksandri mori pushtetin dhe ngriti një ushtri që synonte të shkatërronte fuqinë e Darit III – Mbretit të Mbretërve të Persisë, hegjemonia e të cilit mbi Mesdheun lindor shtrihej thellë në Azi. Pasi i ndoqi forcat e Darit nga Tiri dhe Gaza, Aleksandri hyri në Egjipt, ku u kurorëzua faraon.
Më pas ai u fut më thellë në brendësi, duke marrë Babiloninë dhe Persepolin, ndërsa Dari tërhiqej dhe ofronte kushte paqeje të cilat Aleksandri i refuzoi. Cilat ishin sekretet e suksesit të tij? Persianët mund të luftonin vetëm në mënyrë kaotike, “me pak aftësi dhe edhe më pak stërvitje,” duke përdorur elefantë që vërsuleshin dhe karroca me rrota nga të cilat dilnin kosat.
Në krahasim me ta, Aleksandri ishte sistematik, mjeshtër i llogaritjes së ftohtë taktike. Ai kishte gjithashtu përparësinë e trupave të përbëra prej profesionistëve të kalitur, të organizuar sipas modelit të falangës – të zhvilluar fillimisht nën babanë e tij – në të cilin skuadronet e këmbësorisë, të ngjeshur deri në 16 radhë në thellësi dhe të lidhur përmes mburojave të tyre, mbanin të gjithë heshta të gjata që mund të drejtoheshin si vertikalisht, ashtu edhe horizontalisht.
Në fushën e betejës, kjo funksiononte si një makinë e pandalshme dhe e padepërtueshme vrasëse. Dhe, kështu, nga Persepoli i plaçkitur nga pasuritë e tij të paimagjinueshme, Aleksandri marshoi pa u ndalur. Më në fund ai arriti në Hindukush, një rajon të cilin deri atëherë grekët e njihnin vetëm nga rrëfimet fantastike.
Por, tashmë, kombinimi fatal i megalomanisë dhe paranojës – endemik për autokratët – kishte filluar të shfaqej. Sa më shumë pushtet fitonte, aq më shumë lakmonte. Miqtë e ngushtë dhe aleatët, përfshirë zëvendësin e tij besnik Parmenionin dhe kronikanin e tij besnik Kalistenin, u eliminuan pa mëshirë dhe arsyeja nuk i udhëhiqte më mendimet e tij ushtarake.
Vdekja e mbështetësve të tij kryesorë, Bukefalit dhe Hefestionit, u vajtua në mënyrë të tepruar. Vetëm kërcënimi i afërt i një kryengritjeje nga ushtarët që kishin një dekadë larg shtëpisë, i dha fund ambicies së Aleksandrit për të arritur atë që legjendat e përshkruanin si “skajin e botës.” Në vend të kësaj, ai u detyrua të kthehej – duke zgjedhur marrëzisht një rrugë përmes shkretëtirës së tharë të Gedrosisë – në një marshim po aq rraskapitës sa tërheqja e Napoleonit nga Moska dy mijë vjet më vonë.
Ushtria, e rraskapitur dhe e pakësuar, u zvarrit deri në Babiloni, ku Aleksandri vdiq në moshën 32-vjeçare nga ajo që ka shumë të ngjarë të ketë qenë tifoja. Varri i tij nuk është gjetur kurrë.
Treqind vjet më vonë, poeti romak Lukani e përshkroi valën e plaçkitjeve dhe vrasjeve të Aleksandrit si “një makth nga i cili njerëzimi ende përpiqej të zgjohej.” Të mahnitur nga shkëlqimi i rinisë së tij dhe vendosmëria e tij fanatike, historianët kanë qenë tepër të butë për kujtesën për të, duke anashkaluar anën e tij të errët dhe duke e quajtur, pavarësisht gjithë fitoreve të tij, “i Madhi.” Libri i Edmund Richardsonit, i shkruar me mjeshtëri dhe pa zbukurime, na afron më pranë së vërtetës.
