Ka përfunduar afati për paraqitjen e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Sipas të dhënave të publikuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), gjithsej janë dorëzuar pesë ankesa nga subjektet politike.
Ankesa kanë paraqitur Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – dy ankesa, Lista Serbe – një ankesë dhe Partia e Re Demokratike (Nova Demokratska Stranka – NDS) – dy ankesa. Dy ankesat e PDK-së kanë të bëjnë me pretendimet për mungesë votash, ndërsa Lista Serbe dhe Partia e Re Demokratike kanë kundërshtuar parregullsi që lidhen me fletëvotimet.
Lidhur me këtë proces, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se institucioni nuk do të komentojë ankesat derisa ato janë në shqyrtim. “ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk komenton çështjet që janë në proces ankimor.
Si në çdo rast, KQZ do t’i përgjigjet, brenda afatit, kërkesës së PZAP-it, institucionit kompetent për shqyrtimin e ankesave në procesin zgjedhor, duke sqaruar të gjitha çështjet e nevojshme ”, deklaroi Elezi. Ai bëri të ditur se certifikimi i rezultateve do të bëhet vetëm pas përfundimit të procedurave ankimore dhe vendimmarrjes së institucioneve përgjegjëse.
“ Pasi ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ janë parashtruar disa ankesa, KQZ do të presë vendimmarrjen e PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme, të zbatojë vendimet e tyre nëse përmbajnë obligime për KQZ dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës” , tha Elezi.
