Temperaturat rekord në Francë, banorët rrezikojnë jetën për t’u freskuar në ujë

0%

Nga: New York Times Përktheu:

Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Turmat po mbushin Kanalin Saint-Martin në Paris, ndërsa temperaturat po arrijnë mbi 40 gradë Celsius. Dhjetëra persona janë mbytur gjatë notit. I nxehti ekstrem ka shtyrë banorët dhe vizitorët të kërkojnë freski në lumenj, kanale dhe liqene në të gjithë vendin, pavarësisht shqetësimeve në rritje për sigurinë.

Autoritetet paralajmërojnë se këto vende jozyrtare për not mund të jenë të rrezikshme, veçanërisht gjatë valëve të të nxehtit kur kushtet ndryshojnë shpejt. Situata ka nxjerrë gjithashtu në pah se sa e papërgatitur është infrastruktura urbane për periudha të zgjatura me temperatura ekstreme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërsa i nxehti po intensifikohet, si zyrtarët ashtu edhe qytetarët po përpiqen të gjejnë një ekuilibër mes lehtësimit nga moti dhe rreziqeve që ai sjell.

I ulur në bregun me kalldrëm të Kanalit Saint-Martin në Paris, duke vëzhguar fëmijët e tij teksa bërtisnin dhe qeshnin ndërsa spërkatnin ujin e turbullt, Stephane Guillaume dukej si një parisien i rrallë që kishte arritur t’i shpëtonte të nxehtit. Por në realitetin e ri të verave gjithnjë e më përvëluese në Paris, ai tha se çdo fitore e tillë do të ishte vetëm e përkohshme.

“Do të bëhet më keq çdo vit”, tha Guillaume, një inxhinier kompjuterik 44-vjeçar. “Është shumë shqetësuese sepse tashmë jemi në kufirin e asaj që është e durueshme”.

Me temperaturat në të gjithë Francën që po arrijnë nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë në qershor, më shumë se 40 gradë Celsius, mijëra njerëz po i drejtohen masave ekstreme: duke u hedhur në kanale, lumenj dhe trupa të tjerë ujorë për të gjetur lehtësim. Kjo mund të jetë një zgjedhje fatale.

Dhjetëra persona janë mbytur në aksidente të lidhura me valën e të nxehtit midis 18 dhe 23 qershorit, sipas qeverisë franceze. Shumë në Francë ende e kujtojnë verën e vitit 2003, kur pothuajse 15.000 njerëz në vend, shumica prej tyre të moshuar, vdiqën gjatë një vale të jashtëzakonshme të të nxehtit.

Kjo solli debate të përsëritura për mënyrën se si shoqëria franceze mund të përshtatet ndaj kushteve ekstreme klimatike. Partia e Gjelbër (Ecologists) po propozon leje të paguara për ata që janë më të ekspozuar ndaj ndërprerjeve klimatike, ndërsa rezistenca kulturore ndaj përdorimit të kondicionerëve duket se po dobësohet më në fund.

Po thyhen rekorde Megjithatë, mospërputhja mes të nxehtit tropikal dhe infrastrukturës së Evropës Veriore mbetet e dukshme. Në Paris, Muzeu i Luvrit dhe Kulla Eiffel njoftuan se do të mbylleshin më herët në disa ditë të kësaj jave.

Pranë Tuluzës, në jugperëndim të Francës, autoritetet mbyllën një central bërthamor sepse temperatura e ujit në lumin Garonne, i përdorur për ftohjen e reaktorit, ishte rrezikshëm e lartë. Ndërsa noti në Kanalin Saint-Martin është i ndaluar, përveç një segmenti të shkurtër të rrethuar dhe të mbikëqyrur nga roje plazhi, vendasit dhe vizitorët po marrin situatën në duart e tyre.

Qoftë duke u hedhur nga urat prej hekuri ose duke u argëtuar me gomone shumëngjyrëshe, ata e kanë kthyer pjesën më të madhe të këtij kanali tre milje të gjatë në një oaz urban, por edhe në një simbol të një lloj “rebelimi të butë”. Guillaume tha se ai nuk shqetësohej për sigurinë.

Ai mbante një vëzhgim të ngushtë mbi fëmijët e tij dhe tha se autoritetet e qytetit testonin rregullisht cilësinë e ujit në kanal, i cili dikur furnizonte Parisin me drithëra të transportuara me maune. Makina policie kalonin pranë, ndërsa oficerët nuk bënin asnjë përpjekje për të ndaluar turmat që notonin ose hidheshin në ujë.

“Fëmijët janë të lumtur”, tha Guillaume, duke iu referuar vizitave të përditshme me familjen e tij që kur vala e të nxehtit përfshiu Parisin fundjavën e kaluar. “Ata rrinë në shtëpi, dhe në mbrëmje shkojnë në kanal. Është si pushime”.

Megjithatë, ai tha se kishte një ndjenjë shqetësuese se natyra e zgjatur e kësaj vale të të nxehtit, e dyta për këtë verë, dhe ende nuk është korriku, po e bënte shumë të dukshme pamundësinë e ndryshimeve klimatike.

Shkollat, spitalet dhe shtëpitë në Francë nuk janë të pajisura për periudha të gjata të të nxehtit ekstrem, një realitet që është bërë shumë i dukshëm këtë javë, ndërsa vendi po përvëlohet nën një diell të pandërprerë. Të martën e 23 qershorit, kryeministri Sebastien Lecornu thirri një mbledhje të dytë të “shtabit ndërministror të krizës për valën e të nxehtit”.

Duke folur për gazetarët para mbledhjes, ai tha të dukshmen: Franca ishte në një valë të të nxehtit me “intensitet të jashtëzakonshëm”, duke shtuar se “të gjitha rekordet lokale dhe kombëtare të temperaturës po thyhen çdo ditë dhe çdo natë”. “Problemi i vërtetë që duhet të na shqetësojë është kohëzgjatja e krizës dhe e këtij fenomeni”, tha Lecornu.

Ai theksoi se, sipas parashikimit më të rëndë nga tre skenarët e Meteo France, Shërbimi Kombëtar Meteorologjik, vala e të nxehtit mund të zgjasë me javë të tëra dhe “të na shoqërojë përgjatë pjesës më të madhe të korrikut.” Dy parashikimet e tjera parashikojnë rikthim të temperaturave më normale brenda disa ditësh ose brenda një jave.

Kryeministri tha se ai i mirëpret propozimet për ta bërë Francën më rezistente ndaj të nxehtit ekstrem. Parisi tashmë ka ndërmarrë disa masa për të ftohur rrugët e tij, përfshirë mbjelljen e pemëve dhe instalimin e stacioneve me ujë me spërkatje.

Ide të tjera, si bërja e ndërtesave më të përshtatshme për kushte ekstreme të nxehtësisë, do të kërkojnë kohë, çka do të thotë se nuk do t’u sjellin lehtësim të menjëhershëm njerëzve që po përvëlohen sot. “Moskokëçarja franceze” Duke marrë parasysh këto kufizime, duket se Parisi ka zgjedhur një qasje më të lirshme (laissez-faire) ndaj turmave në Kanalin Saint-Martin.

Autoritetet e qytetit njoftuan se kanë zgjatur periudhën e hapjes së kanalit për not deri më 4 korrik dhe gjithashtu kanë vendosur një dush për ata që dalin nga uji. Për gjithë atë që shpesh quhet “moskokëçarja franceze”, kishte edhe kujtesa se Kanali Saint-Martin është një kanal industrial, jo një pishinë lagjeje.

Komediani francez Hugues Lavigne publikoi një video të lehtë humoristike në YouTube ku shihej duke u zhytur në kanal. Pasi e futi për pak kohë kokën nën ujë, ai doli në sipërfaqe dhe menjëherë dukej sikur po villte në bregun me kalldrëm. “Kjo është shumë mirë!” bërtiti ai, përpara se të kthehej përsëri në ujë.

Disa parisianë argumentojnë se noti në kanal është më i mirë sesa vuajtja në shtëpi. Victoria Cog, 47 vjeçe, mësuese në një shkollë fillore, vuri në dukje se temperatura në shtëpinë e saj ishte 32 gradë Celsius, ose 90 gradë Fahrenheit, dhe edhe më e lartë në klasën e saj.

Një nxehtësi e tillë është e rrezikshme, duke pasur parasysh se ajo tha se vuante nga një sëmundje kronike kardiovaskulare dhe ka dy fëmijë, 9 dhe 13 vjeç. “Nëse humbas ndjenjat vetëm në shtëpi me fëmijët e mi, kush do të thërrasë shërbimet e emergjencës?” tha Cog. “Të paktën këtu mund të kujdesemi për njëri-tjetrin”, tha ajo, duke treguar zonën e kanalit, ku ndodheshin pesë roje plazhi.

“Është shumë mirë i mbikëqyrur, nuk ka rryma të forta dhe ka shumë hapësirë në ujë”. Për disa vizitorë, Kanali Saint-Martin është atraksioni më i ri turistik i Parisit. Miq nga Universiteti i Durhamit në veri të Anglisë, të cilët luajnë në një grup jazzi, kishin gjetur rrugën drejt kanalit për t’u freskuar mes koncerteve.

Tani ata po prisnin në një radhë njerëzish, kryesisht të rinj, për t’u hedhur nga një prej urave. “Kam dëgjuar për këtë vend nga një mik që është pompier”, tha Bena Bird, 22 vjeç, duke përdorur termin francez për zjarrfikës. Bird tha se miqtë e tij kishin hulumtuar cilësinë e ujit në internet dhe ishin të bindur se nuk do të sëmureshin nëse mbanin gojën mbyllur kur ishin nën ujë.

Një nga shoqet e tij, Ella Eastwood, 21 vjeçe, tha: “Ti thjesht supozon se ka ujëra të zeza që rrjedhin në një lum në mes të një qyteti të madh”. (Noti aty është i ndaluar kur bie shi, pasi ekziston rreziku i derdhjes së ujërave të zeza.) Megjithatë, Eastwood tha: “Londra nuk ka diçka të tillë”. Me këtë ide, ajo u ngjit mbi parmakun prej guri dhe u hodh në ujë me një britmë.

Burimi: Koha