Policia e Kosovës ka konfirmuar vdekjen e zyrtarit policor në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, duke dhënë detaje për aksidentin që ndodhi më . Polici Rexhep Gashi, 59 vjeç, nga Malisheva, ka humbur jetën në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne, pasi u godit nga një veturë në afërsi të pikëkalimit kufitar në Vërmicë, derisa ishte në kryerje të detyrës zyrtare.
Detaje për KALLXO.com dha zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Sipas Bytyqit, aksidenti ka ndodhur rreth orës , kur polici ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikëkalimit kufitar. “Polici ishte duke patrulluar në këmbë pranë pikëkalimit kufitar dhe, në një moment, ka tentuar të kalojë rrugën.
Në atë çast, nga drejtimi Prizren–Vërmicë, ka ardhur një automjet, i cili, duke mos e përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, e ka goditur viktimën me pjesën e përparme të veturës” – tha Bytyqi. Si pasojë e goditjes, polici ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa automjeti ka pësuar dëme materiale.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i emergjencës, ndërsa në vendngjarje kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, eprorë të Policisë së Kosovës dhe prokurori kujdestar. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.
Ndërkaq, drejtuesi i automjetit, D.D., rreth 28 vjeç, shtetas i Republikës së Shqipërisë, është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit. Rasti është iniciuar në Prokurorinë Themelore në Prizren, e cila po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
