Kush janë të përfshirët në rastin tragjik në Ferizaj? – Babë e bijë përfundojnë në pranga

0%

Babë e bijë kanë përfunduar në ndalim nën dyshimin për përfshirje në krim në Ferizaj. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar për 48 orë Muhamet Begisholli, rreth 48 vjeç, dhe vajza e tij Arjeta Roshaj, rreth 24 vjeç, të cilët ngarkohen me dyshimet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Viktima në këtë rast është Florim Haxhidema, rreth 32 vjeç, i cili u gjet pa shenja jete në një banesë në katin e nëntë të objektit “Intercon C1”, në rrugën “Sejdi Sejdiu” në Ferizaj. Sipas burimeve zyrtare, viktima kishte një plagë në kokë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Pranë trupit të pajetë të riut është gjetur edhe një pistoletë, e cila së bashku me një gëzhojë është sekuestruar nga policia për ekzaminime të mëtutjeshme forenzike. Banesa ku ndodhi ngjarja tragjike i përkiste të dyshuarit Muhamet Begisholli.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në momentin e incidentit, sipas hetimeve të para, në ambientet e banesës ndodheshin edhe bashkëshortja e tij, Hanife Roshaj, si dhe vajza e tyre, Arjeta Roshaj. Mësohet se e dyshuara Arjeta Roshaj kishte pësuar gjithashtu lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim në Repartin e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Edhe ndaj saj Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, i cili do të ekzekutohet nën masat e sigurisë. Ndërkohë, Hanife Roshaj, bashkëshortja e Muhamet Begishollit dhe nëna e Arjetës, në këtë fazë fillestare të procedurës po trajtohet në cilësinë e dëshmitares dhe pritet të intervistohet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.

Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i Florim Haxhidemës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa autoritetet po vazhdojnë punën intensivisht për zbardhjen e plotë të motiveve dhe dinamikës së kësaj ngjarjeje të rëndë.

Burimi: Bota Sot